Zyrtarët e lartë amerikanë dhe evropianë pritet të diskutojnë për Iranin

Bota

Zyrtarët e lartë amerikanë dhe evropianë pritet të diskutojnë për Iranin

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 01:00
DASH

Ministrat e jashtëm të Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë planifikojnë të diskutojnë së shpejti, ndoshta që të premten, çështjen e rigjallërimit të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, thanë të ejten burime të njohura me këtë çështje. Ish-Presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Teheranin, por administrata e Presidentit Biden po shqyrton mundësinë e rikthimit të vendit në këtë marrëveshje.

Katër burime i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se takimi virtual, i cili kishte të ngjarë të trajtonte edhe tema të tjera, mund të mbahej që të premten, ndërsa dy burime të tjera thanë se takimi mund të zhvillohej javën e ardhshme. Të gjithë folën me kusht që identitetet e tyre të mos publikoheshin.

Një diskutim i tillë i nivelit të lartë do të ishte hapi i fundit nga administrata e Presidentit Joe Biden në kërkim të një mënyre për të ringjallur paktin, nën të cilin Irani ra dakord të kufizonte aktivitetet e tij bërthamore në mënyrë që ta bëjë më të vështirë prodhimin e një bombe atomike në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera.

Presidenti Trump e braktisi marrëveshjen në vitin 2018, duke rivendosur sanksionet e Shteteve të Bashkuara që ishin hequr për shkak të marrëveshjes bërthamore dhe vendosi sanksione shtesë ndaj Iranit.

Teherani ka mohuar prej kohësh akuzat se ka ambicie për të prodhuar armë bërthamore.

Joe Biden, i cili mori detyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara muajin e kaluar, ka thënë se nëse Irani do kthehej tek marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe do ta respektonte atë plotësisht, Uashingtoni do të bënte të njejtën gjë dhe do ta përdorte atë si një shtytje drejt arritjes së një marrëveshje më të gjerë që mund të kufizonte zhvillimin e raketave të Iranit dhe kufizimin e aktivitetit të tij rajonal.

Teherani ka këmbëngulur që Uashingtoni të lehtësojë sanksionet përpara se Irani të rifillojë ta respektojë marrëveshjen, por Ministri i Jashtëm Mohammad Javad Zarif la të kuptohet të hënën se ekziston një mënyrë për të zgjidhur ngërçin duke thënë se veprimet e të dyja vendeve do të mund të sinkronizoheshin.

Ndërsa Departamenti amerikan i Shtetit reagoi me qetësi, një zyrtar amerikan tha se qëndrimi i tij nuk duhet parë si një refuzim.

Departamenti i Shtetit nuk pranoi të komentonte nëse katër ministrat e jashtëm do të takoheshin së shpejti. Zëdhënësit britanikë, francezë dhe gjermanë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për komente.

Duke folur për një organizatë amerikane nga Parisi, Presidenti francez Emmanuel Macron mirëpriti gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të angazhuar Iranin, ofroi veten si një "ndërmjetës i paanshëm" dhe tha se Arabia Saudite dhe Izraeli përfundimisht do të duhej të përfshiheshin në këtë proces.

Në vitin 2019, ai bëri përpjekje për të sjellë Uashingtonin dhe Teheranin përsëri në tryezën e negociatave dhe për të vendosur parametrat për bisedime më të gjera në të ardhmen.

Diplomatët evropianë dhe perëndimorë kanë thënë se Britania, Franca dhe Gjermania kanë propozuar alternativa që Irani të rikthehet tek zbatimi i marrëveshjes në këmbim të përfitimeve ekonomike. Nuk është e qartë nëse Uashingtoni do të hiqte sanksionet pa u bindur më parë se Irani do të zbatonte marrëveshjen.

Në shtator të vitit 2019, Franca propozoi t'i ofronte Iranit lehtësira për një kredi prej 15 miliardë dollarësh, e cila do të garantohej nga të ardhurat iraniane të naftës nëse Teherani do të fillonte përsëri të zbatonte plotësisht marrëveshjen bërthamore. Ky propozim varej nga marrja e një miratimi të heshtur nga Uashingtoni.

"Ne nuk po fillojmë nga e para. Ne i dimë parametrat e rikthimit tek (marrëveshja bërthamore) dhe pastaj për të arritur një marrëveshje më të plotë", tha një diplomat i lartë evropian./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat