Liderët botërorë reagojnë për sulmet në Shri Lanka

Bota

Liderët botërorë reagojnë për sulmet në Shri Lanka

Më: 21 prill 2019 Në ora: 23:38
Ilustrim

Sulmuesit në mënyrë të organizuar kanë sulmuar tre kisha dhe disa hotele në ditën Pashkëve, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

Papa Françesku para mijërave besimtarëve që u mblodhën në Sheshin e Shën Pjetrit, ka thënë se me dhimbje dhe trishtim ka mësuar për sulmet e rënda, pikërisht në ditën e Pashkëve në Shri Lanka.

“Dëshiroj ta shpreh dhembshurinë time me bashkësinë krishtere dhe me familjarët e viktimave që humbën jetën dhe u lënduan gjatë sulmeve në Shri Lanka”.

Ndërsa Kryeministrja britanike, Theresa May, ka thënë se sulmet e dhunshme ndaj kishave dhe hoteleve në Sri Lanka janë vërtetë të tmerrshme dhe se ndjenjat e saj më të sinqerta u drejtohen atyre që janë prekur në këto sulme tragjike.

“Duhet të qëndrojmë të bashkuar në mënyrë që të sigurohemi që askush të mos e praktikojë fenë nën presionin e frikës”.

Për këto sulme ka reaguar edhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Ajo ka thënë se urrejtja fetare asnjëherë nuk duhet të fitojë.

“Është tronditëse dhe e pandërgjegjshme që njerëzit që u mblodhën për të festuar së bashku Pashkët, ishin cak i këtyre sulmeve”.

Sulmin terrorist e ka dënuar ashpër edhe Presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Ndjehem i trishtuar pas sulmeve terroriste ndaj kishave dhe hoteleve në Shri Lanka. Ne dënojmë ashpër këto akte të tmerrshme. Bashkëndjejmë me familjarët e viktimave në Shri Lanka”.

Ndërsa Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar pas sulmeve në Shri Lanka.

“Shtetet e Bashkuara i ofrojnë ngushëllime të përzemërta popullit të madh në Shri Lanka. Ne jemi të gatshëm për të ndihmuar”.
 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat