Si u përlot Enver Hoxha kur foli për Kosovën më 1980

Speciale

Si u përlot Enver Hoxha kur foli për Kosovën më 1980

Më: 9 korrik 2016 Në ora: 17:53
Enver Hoxha

Një nga zyrtaret e pakta që kanë vizituar Kosovën nga Shqipëria komuniste ka qenë, atëherë ministre e Arsimit, Tefta Cami. Ajo atë vizitë katërditore e ka përmbledhur në librin “Katër ditë vizitë në Kosovë”. Në këtë libër ajo shkruan: “E mora në telefon sekretarin e Enverit, Haxhi Kroin, dhe i thashë se dua të takoj Enver Hoxhën, për t’i raportuar për problemet e arsimit dhe të kulturës. Po atë ditë, ndihmësi i Ramiz Alisë, Mehmet Karakushi, më tha që t’i thosha edhe Nexhmije Hoxhës se dëshiron të takohesh me Enver Hoxhën për problemet e arsimit dhe kulturës. Dhe ashtu bëra. Hyra te paradhoma e Nexhmijes dhe sekretarja më çoi te zyra e saj, e cila e mirëpriti kërkesën time për të takuar Enverin”.

“Pas një jave, më 18 janar të vitit 1980, më njoftoi Haxhi Kroi se, sipas kërkesës së paraqitur, për të takuar komandantin siç e thërrisnin në ato vite Enver Hoxhën, më tha se ju pret nesër paradite në orën 11.30 në zyrën e tij.

Të nesërmen, më datë 19 janar, që në orën 11.00 shkova në aparatin e KQ të PPSH dhe në orën 11.15 hyra në paradhomën ku punonte Haxhi Kroi. Në orën 11.30 fiks Haxhi Kroi hapi derën e zyrës së Enver Hoxhës dhe unë hyra pas tij.

Enver Hoxha po qëndronte në këmbë impozant në mes të zyrës, dhe më priti me përzemërsi e më tregoi karrigen ku do të ulesha, në një tavolinë pranë dritareve me pamje nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Sapo u ulëm pranë tavolinës, e mori fjalën Enver Hoxha:

‘Kam dashur prej kohësh të bisedojmë për zhvillimet e arsimit dhe të kulturës, por kam qenë i zënë me punë. Megjithëse jam informuar nga shoku Ramiz (Alia), dëshiroj të më informoni dhe ju, shoqja Tefta, sepse më mirë është drejtpërdrejt sesa me ndërmjetës’.

Fillova ta marr veten, më krijoi një ambient më të qetë, që ndikoi të më kalonin emocionet. Atëherë fillova të dalloj pamjen e zyrës dhe tavolinën e punës. Tavolina e punës e Enver Hoxhës ishte e veçuar, e cila ndodhej në anën e Korpusit qendror të UT, dhe ishte e mbushur me libra e gazeta. Një abazhur me disa llamba ndodhej pranë tavolinës në krah të majtë. Në të dy faqet e murit ishin të varura portretet e Marksit dhe Engelsit. Ndërsa, në faqen tjetër të murit qe vënë një pikturë me portretin e Heroit Kombëtar, Skënderbeut.

Raportimi im u zhvillua në formë bashkëbisedimi. Enver Hoxha kishte një njohje të gjerë të arsimit e të kulturës. Materiali i këtij bashkëbisedimi është botuar pothuajse i plotë në veprën e dytë të Enver Hoxhës ‘Mbi shkencën’”.

Tefta Cami e vijon më tej rrëfimin e kësaj skene që i është ngulitur në mendje për çdo detaj të saj.

“Pasi mbaruam për problemet e arsimit e të kulturës, Enver Hoxha vazhdoi të më pyeste për marrëdhëniet me Kosovën dhe me viset shqiptare përtej kufirit. I raportova se si i kishim ndjekur e po i ndiqnim si Ministri dhe institucionet përkatëse marrëdhëniet me Kosovën e viset e tjera shqiptare, duke theksuar se e kemi vlerësuar dhe e vlerësojmë si një nga drejtimet kryesore të MAK. Në mënyrë të përmbledhur i fola për vizitën në Shqipëri të dr. Ymer Jakës, sekretarit për Arsimin, Shkencën e Kulturën të KSA të Kosovës.

Enver Hoxha më dëgjoi me vëmendje dhe, pasi mbarova, tha: ‘Jam i informuar për punën që bëhet në drejtim të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare. Këto marrëdhënie po na ecin mirë, se ti je ministre e Arsimit dhe Kulturës, që vjen nga një familje e madhe patriote. Edhe për vizitën e ministrit të Kosovës jam i informuar se qe një vizitë e suksesshme’.

Pastaj menjëherë Hoxha i ka komunikuar: ‘Ti do të jesh e privilegjuar, se sivjet do t’i kthesh vizitën ministrit të Kosovës, pra do të shkosh në Kosovë. Ata janë më patriotë se ne këtu, sepse po luftojnë për të mbijetuar e përparuar dhe për të ringritur ndërgjegjen kombëtare në kushtet e një regjimi të dyfishtë, të atij titist, dhe të shovinizmave serbe, maqedonase dhe malazeze, që po ngrenë krye e po acarojnë gjendjen në Kosovë. Edhe unë jam me mendimin tënd. Të mos i lejoni që t’i etiketojnë shqiptarët e Kosovës, se ky apo ai është agjent i UDB-së e spiunë. Ata janë e mbeten vëllezërit tanë të një gjaku e të një etnogjeneze historiko-kulturore’”.

Pohon pas kësaj Tefta Cami: “E mora me mend se Enveri ishte i mirë informuar për problemin që më preokuponte. Kush e kish bërë dhe si, nuk e mora vesh”.

“Sigurisht Cami e ka fjalën për çështjen e përhapjes së librave politikë të Hoxhës në trojet shqiptare në Jugosllavi dhe më pas përshkruan: ‘Kur po fliste për Kosovën, vura re që Enver Hoxha u përlot me dhimbje. Dhe duke përfunduar tha: ‘Është Kosova, prandaj është edhe Shqipëria. Shqiptarët e Kosovës që nga ai më i thjeshti e deri te politikanët janë shprehur hapur se vetëm kur të kalojnë mbi trupat e tyre, mund të sulmohet Shqipëria amë’.

Në vazhdim të kësaj deklarate të fortë, pra se mbi të gjitha ekziston Kosova prandaj edhe mbijeton si shtet Shqipëria dhe aspak nuk është e kundërta, Enver Hoxha ka vijuar me fjalët: ‘Takimet e bisedat me shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi duhet të jenë takime pune e vëllazërore me interes të përbashkët’.

Pastaj Hoxha këmbëngul: ‘I kam thënë Ramiz Alisë që, gjatë bisedimeve me shqiptarët përtej kufirit, të mos përmendet partia apo emri im, pra të mos lejoni që të politizohen problemet e bisedimeve, sepse dëmtohen marrëdhëniet vëllazërore me ta dhe vihen në situata të vështira, sepse dihet se në ç’sistem jetojnë dhe ç’pasoja e rrjedhoja mund të kenë kur të kthehen në vendet e tyre’.

Kur dola nga zyra e Enver Hoxhës, m’u duk se kisha marë përkrahjen e nevojshme dhe të domosdoshme…”!

Tefta Cami ende nuk e mbyll këtu skenën mbresëlënëse të takimit të saj me Enver Hoxhën dhe pa e fshehur pikëllimin dhe habinë, shkruan: “Me keqardhje, bisedën me Enver Hoxhën për marrëdhëniet me Kosovën e viset e tjera shqiptare dhe vlerësimet e orientimet që më dha, nuk i kam gjetur në fondet e Arkivit Qendror të Shtetit”.

Në mëngjesin e 19 janarit 1980, pikërisht atë ditë kur Enver Hoxha, sipas kërkesës së Tefta Camit, e priti këtë të fundit në zyrën e tij, gazeta “Zëri i Popullit” kishte në faqen e parë një kryeartikull, në të cilin bëhej e ditur një deklaratë e qeverisë shqiptare. Sipas saj, në rast të një agresioni kundër Republikës Federative Jugosllave, populli shqiptar do të luftonte përkrah popujve jugosllavë.

Qenë ditët kur shëndeti i Titos së shtruar në Qendrën e Klinikës së Lubjanës kishte rezultuar shumë problematik dhe pothuaj ishin prerë shpresat se mund të rikthehej në drejtimin ekzekutiv të shtetit.

Deklarata e Tiranës qe bërë posaçërisht për të dekurajuar një përpjekje të mundshme të Traktatit të Varshavës për sulm ushtarak ndaj vendit fqinj, çfarë do të hapte rrugën edhe për një agresion në Shqipëri.

Gjithsesi, duke ndjekur fillin e shkrimit të një dite më parë, në librin e saj “Katër ditë vizitë në Kosovë”, Tefta Cami pranon se ka mbetur mjaft e habitur se si pjesa më interesante e bisedës së saj me Enver Hoxhën jo vetëm nuk u publikua në ndonjë botim politik të kohës, në ndonjë “Ditar” apo cikël të “Vepra”-ve të tij, por nuk e ka gjetur atë dëshmi të jashtëzakonshme të largpamjes së Hoxhës as në arkivin e Shtetit, ku ndodhet edhe tërë arkivi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës.

Përderisa një pjesë të bisedës, atë të fillimit, Cami e pohon se ka qenë e publikuar tek botimi “Mbi shkencën” i Enver Hoxhës, pra i përkujdesur prej Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste të drejtuar prej bashkëshortes së tij, Nexhmijes, do të thotë se për gjithçka në mesditën e 19 janarit 1980 është biseduar mes Hoxhës dhe Camit, siç ka qenë praktikë, është regjistruar dhe zbardhur.

Ish-ministrja e ka pyetur pas vitit nëntëdhjetë Nexhmijen për mungesën në arkivin e Shtetit dhe të KQ të PPSH-së të pjesës më të spikatur në mesazh të asaj që i ka thënë Enver Hoxha dhe ka marrë prej saj përgjigjen se kjo qe detyrë e sekretarit teknik, Haxhi Kroi.

Cami e mbylli këtu bisedën e sqarimit të fatit të mungesës në kujtesën e shtetit dhe të vendit, të asaj pjese të bisedës, ku Enver Hoxha shkëlqen në elasticitetin politik të tij, çfarë nuk qe rast i shpeshtë për dogmatizmin që kishte. Ajo nuk dëshiron të vërë në pozitë të vështirë Nexhmije Hoxhën, e cila e ka dashur dhe po ashtu e ka, si dibrane, bashkëkrahinase. Mirëpo, autorit të këtij cikli të titulluar “E fshehta e vitit 1981”, që po botohet prej shumë muajsh, pjesë-pjesë, nga gazeta “Shqiptarja.com”, e gjen të domosdoshme të mos e mbyllë me kaq.

Arsyeja?

Sepse këto punë nuk mund t’i vendoste kurrë Haxhi Kroi. Paradhoma e tij i regjistronte, pastaj të ngarkuar të posaçëm i zbardhnin dhe i korrektonin, lënda i dërgohej Enver Hoxhës, por këto çaste, janar 1980, për shkak se prej diabetit agresiv vështrimi i qe dobësuar rëndë, materiali kalonte nëpërmjet të shoqes.

Të hamendësojmë se Nexhmije Hoxha ia ka lexuar apo parashtruar të gjithë lëndën dhe Enveri ka dhënë lejen për t’u publikuar vetëm njëra pjesë, ajo, po e quajmë, më “zyrtarja”, por përse nuk është ruajtur në arkivin e partisë edhe pjesa tjetër?

Që botohej vetëm një pjesë ky ishte rregull i zakonshëm, e pazakonshme është përpjekja për të mos e ruajtur në kujtesën kombëtare të një bisede ku Enver Hoxha deklaron se “është Kosova pa është edhe Shqipëria”?

Në mes të korrikut të atij viti, 1980, qe një ministër tjetër shqiptar që pati vizituar Jugosllavinë dhe kishte kryer bisedime në Beograd. Ky qe Nedin Hoxha, drejtuesi i Ministrisë së Tregtisë me Jashtë.

Ai pati firmosur dy marrëveshje të rëndësishme: e para kishte të bënte me shkëmbimet tregtare mes dy vendeve dhe e dyta për tërë marrëdhëniet ekonomike midis Beogradit dhe Tiranës për një pesëvjeçar të tërë: 1981-1985.

Në vitin 1982 shkëmbimet tregtare do të mbërrinin deri në 135 milion dollarë, tërë pesëvjeçarin do të shkonin në 720 milionë. Qe një rritje pesëfishe.

Jugosllavët qenë shprehur mjaft të gëzuar nga kjo vizitë dhe e patën vlerësuar si shenjë të bukur të dëshirës për paqe në Ballkan.

Gjithsesi vizita e Tefta Camit prej Enver Hoxhës, që në çastin kur e vlerësoi më të lartën e qeverisë shqiptare në Jugosllavi për vitin 1980, do ta ruante këtë epërsi, të paktën për objektivin e saj: ta hapte më shumë rrugën për çështjen kryesore, bashkimin e ardhshëm të trojeve.

Kështu tre ditë para se të nisej për vizitën e saj zyrtare në Kosovë, më 3 tetor 1980, Tefta Cami u takua me Ramiz Alinë, sekretar i Komitetit Qendror të PPSH që mbulonte sektorin ideologjik. Gjatë raportimit Cami nuk u mjaftua me qëllimin e misionit të saj për nxitje të shkëmbimit në fushën e dijes dhe të kulturës, por u shty edhe më tej, deri edhe të tregtisë. Ajo i tha Alisë që delegacioni i drejtuar prej saj qe i ndërgjegjshëm që “kemi interes për të marrë nga Kosova artikuj të ndryshëm si plumb të përpunuar, lloje plehrash të ndryshme dhe minerale, grurë të fortë për makarona, vaj dhe farë luledielli etj.”.

Ramiz Alia ia miratoi gjithçka që ministrja i parashtroi si objektiva me përparësi të vizitës dhe e porositi se duhej të mbante parasysh orientimin që i kishte dhënë Enver Hoxha: “Të mos politizohen bisedimet dhe të mos përmendet partia dhe emri i Enverit”.

Po ashtu Alia i tha se “Duhet të pranohen të gjitha propozimet që do t’ju bëhen gjatë bisedimeve zyrtare e private në Kosovë”.

Porosia e tretë e tij qe: “Vizita juaj në Kosovë duhet të mbetet vetëm në kuadrin e Kosovës dhe nuk duhet të shtrihet në republika e krahina të tjera të RSFJ-së”.

Në 5 tetor, e diel, Tefta Cami u takua me shtatë anëtarët e tjerë të delegacionit. I pranishëm qe edhe ambasadori jugosllav Branko Komatina. Ai e njoftoi ministren se nuk do ta shoqëronte gjatë vizitës në Kosovë, por gjithsesi prej ambasadës së tyre do të kishte pranë një punonjës.

Ky do të qe sekretari Spaso Tuniq si edhe shqiptari Qemal Muhaxhiri.

Më pas e tërë dërgata u nis për në Kukës dhe natën e kaluan në Kukësin e ri. Ministrja Cami fjeti shumë pak, jo vetëm prej emocioneve të kalonte. Lexoi edhe një libër të fundit të Rexhep Qoses, të porsabotuar në Tiranë.

Në pikën doganore të Shqipërisë në Qafë Morinë i priste ambasadori në Beograd, Sokrat Plaka, dhe kur në orën nëntë hynë në territorin jugosllav në pikën doganore të Kosovës ndodheshin dy zëvendësit e Ymer Jakës si edhe shefi i protokollit i qeverisë së krahinës.

Në pritje të Tefta Camit dhe delegacionit të Tiranës gjendeshin ato çaste edhe dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Qenë veshur me uniformë shkollore dhe shallin e kuq të pionierit në qafë. Që të dy mbanin në duar nga një buqetë me karafila të kuq.

Ato kohë, shumë mund t’i mbajnë mend, sepse më pas, sidomos pas vitit nëntëdhjetë kjo traditë u zbeh deri sa u harrua, karafilat e kuq qenë simbol shprehjeje i dashurisë së shqiptarëve të Kosovës për atdheun amë.

Tefta Cami, duke qenë edhe vetë nënë, pasi i përqafoi të dy fëmijët, kur i pyeti se si quheshin u emocionua shumë. Vajza tha se quhej Shqiponja dhe djali se e kishte emrin Bashkim.

Ajo u rrëqeth e tëra. Ishte mesazh.

Kosova po e priste qeveritaren shqiptare më të lartë të ardhur pas vitit 1948, me kodin e saj të palëkundur për t’u rikthyer në trungun e shtetit unik të shpallur në 28 nëntor 1912.

Ministres Cami prej shtangies nga ky emocion i papritur i hipi një çast meraku se mos në emër të dërgimit të një mesazhi politik për bashkimin e trojeve amtare, emrat e vërtetë të dy fëmijëve, nxënës të shkollës tetëvjeçare të Prizrenit, mund të ishin realisht të tjerë.

Ia tha këtë ambasadorit Plaka dhe ky, kurioz por edhe i vëmendshëm të “lexonte” çdo shenjë diplomatike, iu afrua atyre dhe pa u rënë në sy se e bënte qëllimisht, i pyeti si quheshin.

“Shqiponja”, u përgjigj vajza, “Bashkim”, shqiptoi djali.

Kësaj radhe Tefta Cami u përlot, madje për pak sa nuk ngashëreu. Shkoi dhe i puthi në ballë. Vajzës i tha “Ti me siguri do të bëhesh shqiponjë malesh dhe do t’u ngjash Norës së Kelmendit dhe Shote Galicës”, kurse djalit: “Ke një emër shumë të madh, që sintetizon ëndrrën e madhe të të gjithë shqiptarëve”.

Kur delegacioni do të largohej nga pika doganore e Qafë Morinës për të hyrë në brendësi të Kosovës, djali dhe vajza e buqetave me karafila, edhe pse një oficer i rojes së pikës kufitare u përpoq t’i shkëpuste nga makina e ministres, sigurisht thjesht për të mos e bezdisur, nuk u larguan. Vazhdonin ta përshëndetnin me dorë.

Po ashtu bëri edhe ministrja Cami, deri sa të dy palët humbën nga sytë e njëri-tjetrit. /Shqiptarja/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat