Hendboll

Nga: Kemajl Goca Më: 5 korrik 2016 Në ora: 18:01
Pamje nga hendbolli

Debate
Askush nuk e ka sjell në kokë se dy klubet që hiqen me renome nuk do të jenë pjesë e garave evropiane në hendboll. Prishtina në konkurrencën e meshkujve dhe Kastrioti i Ferizajt në atë të femrave nuk i plotësojnë kriteret dhe nuk do të jenë në garat evropiane, për çka ka sjell edhe dëshpërim të tifozët e tyre. Vetëm katër klube kanë aplikuar për garat evropiane, kampioni dhe fituesi i Kupës së Kosovës, Besa Famiglia nga Peja, Kastrioti i Ferizajt (meshkujt) dhe te femrat, kampionia Prishtina dhe Shqiponja nga Gjakova.  Prandaj, pjesëmarrja e katër ekipeve në Evropë është një lajm i mirë, por në anën tjetër dhe më keq kur Prishtina dhe Kastrioti mbeten jashtë saj. “Prishtina e Shqiponja te femrat dhe Besa e Kastrioti te meshkujt, do të marrin pjesë në garat evropiane. Besa merr pjesë në EHF Cup, kurse Kastrioti në Challenge Cup, kurse te femrat Prishtina në EHF Cup dhe Shqiponja në Challenge Cup. Dita e fundit për aplikim ka qenë me 4 korrik, kurse Kastrioti - femrat dhe Prishtina-meshkujt për shkaqe financiare nuk i përmbushën kriteret.”, tregon Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës. Pa dyshim po reflektohet një krizë e madhe në hendbollin tonë. Gjithsesi se është për çdo kritikë tempulli i hendbollit (Ferizaj) sidomos në konkurrencën e femrave që nuk kanë gjetur forcë që të thithin mjete nga sponsorët e ndryshëm dhe të krijojnë ekip të denjë. Mbetja e këtij ekipit jashtë garave evropiane është një lajm i keq por edhe një zemërim për tifozët e saj. Sepse Kastrioti te femrat konsiderohej si një klub që ka një qëndrueshmëri në krahasim me klubet tjera, por kësaj here befasoi për të keq. Ndërkaq, Prishtina meshkujt po kalon në një periudhë të vështirë dhe nuk ka stabilitet, por të gjithë shpresojnë se do të ruajnë këtë bërthamë të lojtarëve që ka pasur në kampionatin e kaluar. Askush nuk e kishte imagjinuar se Prishtina nuk do t’i përmbush kriteret financiare dhe të mbetet jashtë garave evropiane. Mirëpo, nëse analizojmë në tërësi situatën që e ka kaluar ky kolektiv, sa e sa herë hendbollistët e kësaj skuadre kanë paralajmëruar se nuk është gjendja e mirë në këtë mjedis dhe kjo po dëshmohet edhe tani. Ana e mirë e medaljes është Besa Famiglia, e cila ka një organizim shumë më të mirë se ekipet tjera dhe që pretendon të ketë një paraqitje më dinjitoze në garat evropiane. Megjithatë, kur dobësohen ekipet me renome dhe kanë krizë financiare, ky është një lajm i keq për gjithë hendbollin tonë. Kastrioti i Ferizajt - meshkuj, pritet të jetë më i organizuar dhe më i fortë financiarisht e të përforcohen me e hendbollistë për gara evropiane, kurse te femrat Prishtina mund të jetë një ekip mirë e komponuar, kurse Shqiponja e Gjakovës, me drejtor të ri Dervish Berishën, paralajmërojnë një organizim më të mirëfilltë dhe një ekip më kompakte.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat