Duhanaj: Pas tragjedive promovohen si “heronj”

Kosova

Duhanaj: Pas tragjedive promovohen si “heronj”

Më: 24 qershor 2016 Në ora: 11:10
Leon Duhanaj

Leon Duhanaj analist politik duke folur për epilogun tragjik që ndodhi në mesditën e së enjtes, ku humbën jetën dy fëmijë (vëlla e motër) pasi ranë në një gropë të thellë në lagjen Kolovicë të Prishtinës, ka thënë se tragjeditë që ndodhën në Prizren, e tash edhe në Prishtinë ku po humbin jetën fëmijët e pafajshëm, po e shpërfaqin realitetin e hidhur në të cilin gjendet shoqëria jonë.

Ai ka thënë se nuk ka asgjë më të dhimbshme më tragjike por edhe më të turpshme për një vend se sa me iu mbytë fëmijët përderisa lozin në oborret e tyre.

“Kjo që po ndodh në Kosovë, është rezultat i neglizhencës së vazhdueshme institucionale ndaj problemeve me të cilat përballen qytetarët e vendit”, ka thënë Duhanaj.

Sipas tij, akti i dorëheqjes së një drejtori nuk është asgjë më shumë sesa një detyrim moral.

“Përgjegjësia është dhe duhet të jetë më e madhe. Nëse mendohet që një akt dorëheqje të promovohet politikisht atëherë është edhe një vrasje e re ndaj viktimave. Mënyra se si po promovohet kjo dorëheqja për të përfituar politikisht është më se e turpshme”, ka thënë analisti Duhanaj.

Sipas tij, vendi nuk ka nevoje për njerëz që nuk e kryejnë punën e vet si duhet dhe pasi të ndodhin tragjeditë të promovohen si “heronj” kinse paska bërë punë të madhe me aktin e dorëheqjes.

“Kosova ka nevojë për profesionist, të cilët punën e vet e bëjnë me nder dhe të cilët përmes punës dhe angazhimit të tyre në detyrat publike kontribuojnë në parandalimin e së keqes, parandalimin e tragjedive të tilla, ku humbin jetën fëmijët e pafajshëm, ku shuhen shpresat e familjes për jetë”, ka thënë Duhanaj./BS/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat