Me pastrim dhe mbjelle të luleve shënohet Dita e Ambientit

Lajme

Me pastrim dhe mbjelle të luleve shënohet Dita e Ambientit

Më: 5 qershor 2016 Në ora: 14:26
Dita e Ambientit

Në shënim të Ditës Botërore të Ambientit organizata jo qeveritare dhe institucione shtetërore, zhvilluan disa aktivitete me qëllim të përçimit të mesazhit për ndërgjegjësim qytetarë rreth rëndësisë së ambientit të pastër.

Organizata “Let’s Do It Kosova”, në shënim të kësaj dite dhe në kuadër të iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën”, pastruan hapësirën para Muzeut Kombëtar, e cila ishte pastruara edhe më herët, por që për një periudhë disa javësh ajo hapësirë ishte mbuluar nga mbeturinat.

Përfaqësuesi i kësaj organizate, Luan Hasanaj shprehi keqardhje që kjo hapësirë publike ishte kthyer në gjendjen e mëparshme, derisa shtoi se as institucionet përgjegjëse nuk janë marrë sa duhet me këtë hapësirë.

Hasanaj: Institucionet nuk janë marrë më këtë hapësirë

“Fatkeqësisht në Kosovë këtë problem po duhet ta adresojmë duke kontribuar fizikisht për të pastruar mbeturinat gjithandej vendit tonë dhe fatkeqësisht këto pastrime që ne po i bëjmë pas një kohe të shkurtër po kthehen në gjendjen e mëparshme. Një prej fakteve është që këtu ku jemi sot kemi pastruar më 9 maj, që i bie as një muaj dhe qytetarët e pandërgjegjshëm e kanë mbush këtë vend prapë me mbeturina. Në anën tjetër as institucionet nuk janë marrë dhe nuk janë interesuar aspak që ta ruajnë dhe të kujdesen për këtë hapësirë”, tha ai.

Kësaj iniciative iu bashku edhe drejtori i Muzeut të Kosovës,Skender Boshtrakaj, i cili tha se hapësira para këtij institucioni po bombardohet nga mbeturinat që po i hedhin qytetarët, derisa tregoi se përveç pakujdesit për ambientin qytetarët vjedhin edhe lulet e Muzeut.

Boshtrakaj: Çdo pjesë po e bombardojmë me mbeturina

“Është për të ardh keq nuk kemi kujdes, po e bombardojmë çdo pikë të rëndësishme që mundet me qenë interesante për neve dhe të tjerët, e bombardojmë me pjesën tonë më të keqe duke filluar prej mbeturinave. Është e pakuptueshme . Unë kam hasë të zoja të rëndë që i kanë marrë lulet që Muzeu i kishte mbjellë një javë përpara. Veshur në të bardha, në të bukura e merrte lulen në pikë të ditës e fut nënsqetull dhe e çon te shtëpia. Mua më pëlqen dëshira e këtyre njerëzve që ta rregullojnë oborrin e vetë, por kisha dashtë që ajo të mos të jetë në dëm të hapësirave publike”, tha ai.

Ndërsa, derisa u pastrua hapësira para Muzeut të Kosovës, në sheshin “Zahir Pajazit”, u mbollën disa lule, me anë të të cilave u formua logoja e lojërave olimpike.

Për këtë u kujdesën disa fëmijë që merren me sport të udhëhequr nga përfaqësues të Komitetit Olimpik i Kosovës.

President i këtij komiteti, Besim Hasani, në lidhje me këtë aktivitet tha se sporti nuk nënkupton që duhet të dëmtohet hapësira, duke shtuar se ambienti duhet të jetë i pastër që zhvillohet sporti.

Hasani: Sporti nuk nën kupton që duhet të dëmtohet hapësira

“Duam ta shënojmë ditën e Ambientin duke dërguar një mesazh se ne përkujdesemi që sportet, aktivitetet sportive të zhvillohen në ambiente të pastërta, në ambiente të qëndrueshme dhe jemi në favor që ne zhvillojmë sportin kjo nuk nënkupton që duhet të dëmtohet hapësira. Një mesazh që e dërgon edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtarë”, tha ai.

Ky aktivitet ishte mbështetur edhe nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit, komuna e Prishtinës, e cila kishe dhënë leje për këtë aktivitete si dhe Komisioni për Sport dhe Ambient.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat