Kallëzimi ndaj Berishës, Prokuroria: Nuk ka asnjë vepër penale

Shqipëria

Kallëzimi ndaj Berishës, Prokuroria: Nuk ka asnjë vepër penale

Më: 5 qershor 2016 Në ora: 11:52
Sali Berisha

Deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha nga Kuvendi, bërë gjatë muajit prill, ku kërkonte armatosjen sipas ligjit amerikan nuk përbëjnë vepër penale. Është ky vendimi i Prokurorisë së Përgjithshme pas kallëzimit të bërë nga disa deputetë të Partisë Socialiste.   Sipas organit të akuzës, nga përmbajtja e kallëzimit penal, të paraqitur nga 11 deputetë është vendosur mosfillimi i procedimit penal.

Ky vendim është marrë me argumentin se:

– Deklaratat e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, nga foltorja e sallës plenare, janë bërë në funksion të veprimtarisë parlamentare dhe në përmbushje të fjalës së lirë të opozitës parlamentare;

– Deklarimet e bëra prej të kallëzuarit, në cilësinë e deputetit, ndonëse të kryera në ambientet e Kuvendit, gjatë një veprimtarie parlamentare dhe të lidhura me çështjet në debat parlamentar, nuk përmbushin elementët e ndonjë vepre penale.

– Prokuroria arrin në përfundimin se, fjalimi i të kallëzuarit, deputetit Sali Berisha në seancën plenare të datës 21.04.2016, është bërë në funksion të veprimtarisë dhe lirisë parlamentare. Fjala e mbajtur prej tij konsiderohet se janë pjesë e lirisë parlamentare të fjalës, mendimit dhe qëndrimeve, në ushtrim të mandatit të deputetit të garantuar dhe parashikuar nga neni 73 i Kushtetutës.

– Shprehjet e përdorura prej tij dhe të konsideruara nga kallëzuesit si të tilla që përmbajnë elementët e veprave penale të referuara, nuk mund të vlerësohen të shkëputura nga konteksti i fjalimit të mbajtur prej të kallëzuarit, deputetit Sali Berisha.

– Prokuroria çmon se nuk mund të konsiderohet si vepër penale shfaqja e mendimit e bërë për armatosjen e popullsisë për të mbrojtur veten, familjen, pronën etj, në kushtet kur në vlerësimin e deputetit të kallëzuar, shteti i ka lënë të lirë kriminelët dhe në funksion të saj, sugjeron përgatitjen e një ligji të tillë që justifikon pajisjen e tyre me armë, duke marrë si shembull SH.B.A-të, të cilat e kanë të lejuar mbajtjen e armëve të zjarrit.

–  Pikëpamja, sipas të cilës shteti mund të lejojë pajisjen me armë e popullsisë në mënyrë ligjore, është një këndvështrim politik, i cili nuk është i ri, pasi ka eksperienca të tilla në vende të ndryshme të botës, përfshi këtu edhe SH.B.A-në, por kjo nuk do të thotë që ata politikanë të cilët e përqafojnë këtë kauzë duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat