Moisiu: Shqipëria, vend strategjik për NATO-n

Shqipëria

Moisiu: Shqipëria, vend strategjik për NATO-n

Më: 1 qershor 2016 Në ora: 10:09
Alfred Moisiu

Sipas tij, se pavarësisht rolit modest, Shqipëria ka ndihmuar dhe ushtarakisht këtë organizatë.

Ish-presidenti Alfred Moisiu duke komentuar mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-së, organizatës më të madhe ushtarake dhe politike në botë, që u zhvillua në Tiranë, tha se ky takim u zhvilluar për shkak të rolit që ka luajtur Shqipëria ndaj aleatëve.

“Kjo Asamble kaq e rëndësishme e NATO-s është mbajtur në vendin tonë për shkak të angazhimit që ka treguar Shqipëria gjatë këtyre viteve ndaj aleancës më të fuqishme ushtarake në botë”, tha Moisiu.

Më tej, ai tha, se pavarësisht rolit modest, Shqipëria ka ndihmuar dhe ushtarakisht këtë organizatë.

“Ndaj kësaj organizate Shqipëria ka kontribuar në vazhdimësi. Ne jemi një vend strategjik për NATO-n dhe sigurisht që ky takim vetëm se e përforcoi rolin tonë në këtë organizatë. Nuk duhet harruar se Shqipëria e ka ndihmuar dhe ushtarakisht këtë organizatë në disa misione luftarake dhe paqeruajtëse, qoftë në Irak, qoftë në Afganistan. Nuk mund të harrohet kjo gjë”, është shprehur ish-presidenti.

Asambleja parlamentare e NATO-s, ndryshon imazhi i Shqipërisë

Asambleja Parlamentare e NATO-s e zhvilluar në kryeqytetin shqiptar hyn te ngjarjet e rëndësisë së veçantë. Diskutimi i projekteve të sigurisë globale në Shqipëri sigurisht që është lajm i jashtëzakonshëm duke parë problemet që sapo ka kaluar Shqipëria. Nuk është pak që 260 parlamentarët e Aleancës së Atlantikut Verior të diskutojnë për tre ditë në Tiranë, lidhur me sfidat e sigurisë. Mesazhet e kësaj konference kapërcejnë kufijtë e vendit tonë dhe Evropës. Asambleja diskutoi rrezikun e terrorizmit, luftën kundër Shtetit Islamik, marrjen e masave ndaj qëndrimeve të Rusisë dhe projektet e sigurisë së Aleancës. Shqipëria në zhvillimet globale ka një rol tejet minimal, por një aktivitet si ky i tre ditëve të fundit bën që Tirana të jetë në fokus të mediave të huaja.

Një takim i Asamblesë së NATO-s është një certifikatë sigurie për një vend si Shqipëria. Besueshmëria e Shqipërisë si partner i NATO-s, 7 vjet pasi vendi është bërë pjesë e Aleancës, dhe takimi i nivelit të lartë të Asamblesë, është garanci se Shqipëria nuk shihet me inferioritet si anëtare më e re e NATO-s. Deri më tani vendi është etiketuar si një shtet pa infrastrukturë, pa kapacitete teknike dhe sigurie për të pritur delegacione nga dhjetëra vende. Asambleja e NATO-s vlen edhe në këtë pikë si një histori suksesi. Autoritetet shqiptare menaxhuan me sukses dhe pas asnjë incident një aktivitet global të rëndësisë së jashtëzakonshme.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat