Aziz Salihu: A jam shtetas i Kosovës?

Boksi

Aziz Salihu: A jam shtetas i Kosovës?

Nga: Kemajl Goca Më: 23 gusht 2018 Në ora: 15:49
Aziz Salihu: A jam shtetas i Kosovës?

Aziz Salihu ka probleme të mëdha financiare sa i përket organizimit të turneut ndërkombëtar “Kolosët e Boksit të Kosovës”. Nuk ka më shumë se 1500 euro dhe këto mjete ‘Zizi’ tha se janë shumë pak për turneun që pritet të mbahet me 25 gusht në ambient të hapur para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, duke filluar në orën 17.00.  

Salihu, kryetar i klubit të boksit Prishtina, shprehet se boksierët e viteve të 70-ta dhe të 80-ta, ishin heronj, ku ka paraqitur në një plaketë me fotografi, si trajneri më i suksesshëm shqiptar Lah Nimani (i ndjeri), pastaj janë Mehmet Bogujevci, Bajram Hashani, Nazif Gashi, Xhevdet Peci, Fatmir Makolli, Afrim Majanci, Shefki Bogujevci, Zijadin Rama, Ismet Haziri, Daut Dauti, Sherif Aliu, Sami Buzolli, Abedin Lika, Muharrem Gjocaj, Beqir Berisha, Agim Tahiraj etj.

“Këta kolosët të boksit afirmuan Kosovën në arenën ndërkombëtare”, tha Salihu në një konferencë me gazetarë. “Turneu është dashur mu mbajt më herët, por që dy muaj e gjysmë po kam vështirësi. Jam i dëshpëruar për këtë. Turneu do të mbahet me 25 gusht në orën 17.00.  Është vend i mirë para teatrit. E dinë të gjithë se me çfarë kushte jemi. Nuk kam më shumë se 1500 euro dhe nuk e di edhe vet se si do t‘ia bëjë.

Në program janë dhjetë ndeshje, marrin pjesë boksierë nga Shqipëria, Maqedonia, boksierë shqiptarë nga Gjermania dhe do të ketë edhe ndonjë këngëtar”, tha ‘Zizi’.

Salihu çuditet që nuk ndihmohet për këtë turne. “Gjithmonë kam organizuar spektakël,  turne të shumtë, por habitem pse nuk më ndihmojnë dhe a jam unë shtetas i Kosovës? Për këtë vend kam bërë shumë dhe kam sakrifikuar në kohë më të vështira. Serbë më kanë marrë krejt pasurinë, si lokalin etj. ndërsa sot janë disa sportist që vijnë nga shtetet e jashtme dhe mbledhin miliona euro”, tha Salihu. “Synimi im është që Prishtinën ta bëjë sikurse ka qenë përpara ashtu siç i ka hije”, premton Salihu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat