Mehmet Bogujevci: Driton Kuka po din me mbajt veten, po din mu deklaruar

Boksi

Mehmet Bogujevci: Driton Kuka po din me mbajt veten, po din mu deklaruar

Nga: Kemajl Goca Më: 27 prill 2018 Në ora: 17:06
Mehmet Bogujevci

Mehmet Bogujevci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, tha se puna profesionale e vëllezërve Kukaj, ka prurë xhudon deri te sukseset e mëdha në rrafshin ndërkombëtar. “Mendoj se krejt këto suksese, janë si fryt i punës në ekipin Ippon të Pejës, i vëllezërve Kuka (Dritoni e Agroni), që bëjnë një punë profesionale, e cila përcillet që 17-18 vite, një vazhdimësi e punës tyre me kampe ndërkombëtare. Me të vërtet është për çdo lëvdatë puna e tyre dhe ka me vazhduar kjo punë, kjo traditë. Driton Kuka është prej trajnerëve më të mirë në botë, edhe sukseset nuk i mungojnë.  

Sepse ne e kemi rininë e shëndoshë, Driton Kuka është një trajner i rrallë dhe një pedagog, po din me mbajt veten, po din mu deklaruar dhe ka sjellje të mirëfilltë sportistit dhe të trajnerit. Është normale pas një pune profesionale në shumë kampe ndërkombëtare, me vite në përgatitje, prej garës në garë marrin pjesë dhe kanë ardhur në kulminacion. Për ditë është duke u shumuar me sportistë kulmor, si evropian e botëror. Krejt këmbën e mbarë e ka ngreh Majlinda Kelmendi dhe gjithë po shkojnë pas asaj. Shpresoj edhe këto sporte tjera dalëngadalë të avancohen dhe mendoj se me këto sjellje të papërgjegjshme te organeve tona sportive, si për shembull me 7-8 muaj me vonesa te pagesave, edhe pse i nënshkruajmë memorandumet, nënshkrime veç i qesin, mendimet të ndryshme pa obligime.

Disa federata kanë arritur edhe me pas sponsorë edhe qasje edhe mbështetje maksimale. Mendoj se boksi e ka merituar më u mbështetur më shumë dhe me pas përkrahje me të madhe, për fat të keq nuk po na mbështesin dhe nuk na përkrahin, se edhe ne kishim pas rezultate, bile 50 për qind më të mëdha se federatat tjera. Kemi suksese të mira sipas kushteve tona, kështu që janë të kënaqshme.

Shkojmë në gara me borxhe e me huazime. Me pak mbështetje kishim mundur me bë rezultate. Kemi talent të mirë, por nuk kemi kushte që të shkojmë në kampe ndërkombëtare. Po i dërgojmë sportistët në gara pa asnjë ditë në përgatitje”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Mehmet Bogujevci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat