Për revansh

Boksi

Për revansh

Më: 24 prill 2018 Në ora: 19:31
Pamje nga një meç

Kampioni i botës në peshën e mesme në kategoritë WBC, WBA dhe IBF, boksieri kazak Gennady Golovkin, gjatë një interviste të dhënë sot për mediat, ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga revanshi me meksikanin Saul “Canelo” Alvarez. Madje kazaku beson se kjo përballje e dytë mes dy boksierëve do të zhvillohet në shtator, kohë që përkon me përfundimin e pezullimit të meksikanit, i dënuar për përdorim dopingu dhe dënuar me 6 muaj nga komisioni i sportit në Nevada.

“Kur dueli im me Canelo u pezullua unë nuk e ndala për asnjë moment stërvitjen. Unë doja me çdo kusht të duelojë më 5 maj dhe jam i kënaqur që do të kem mundësi të dueloj në atë datë para fansave të mi. Është e rëndësishme të jesh aktiv, madje kam dëshirë të dueloj 4 apo 5 herë gjatë vitit. Unë i falënderoj edhe fansat meksikanë që më kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe të vështirë”, tha Golovkin.

Më tej, kampioni i botës shton se pavarësisht se dueli i dytë me Canelo u pezullua, ai synon që ky revansh të zhvillohet në shtator. “Për momentin kjo çështje është e mbyllur, por mund të zhvillojmë revanshin në shtator. Por do të jetë një marrëveshje ndryshe nga e para. Le të shohim deri atëherë. Unë jam gati të përballem edhe një herë të dytë me Canelo, ndaj pyesni atë nëse ka dëshirë të duelojë sërish me mua”, u shpreh Gennady Golovkin, që më 5 maj do të duelojë ndaj Vanes Martirosyan, që ka zënë vendin e meksikanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat