Rusi ka një mesazh për Joshuan

Boksi

Rusi ka një mesazh për Joshuan

Më: 23 prill 2018 Në ora: 11:51
Alexander Povetkin

Alexander Povetkin pret që Anthony Joshua të respektojë rregullat dhe të duelojë me të për të mbrojtur titujt kampionë bote në peshat e rënda. Boksieri rus është mandatuar nga WBA-ja për të dueluar me Joshua, i cili ka afat deri më datën 6 maj për të marrë një vendim, për të negociuar këtë përballje. “Unë besoj se Joshua do të bashkëpunojë me ne, do të nisë bisedimet dhe respektojë rregullat, për të mos e humbur titullin”, u shpreh Andrey Ryabinskiy, promotori i boksierit rus.

“Unë mendoj se çdo boksier duhet të duelojë me më të mirët për të vërtetuar se është më i miri. Nuk shoh asnjë arsye se përse Joshua nuk duhet të anashkalojë duelin me Povetkin, për të qenë ai rivali i radhës”, tha më tej menaxheri. Problem është se Joshua po synon një përballje me amerikanin Deontay Wilder, për të unifikuar titujt kampionë bote në peshat e rënda. Në rast se kjo marrëveshje arrihet, atëherë Povetkin do t’i duhet të presë sërish për t’u përballur me më të mirin.

Povetkin ka edhe një ide, që të përballet me Joshua në stadiumin perj 81 mijë vendesh të Luzhniki të Moskës, aty ku do të zhvillohet edhe finalja e Kupës së Botës në futboll. Megjithatë, rusi është gati të udhëtojë në Britaninë e Madhe dhe të duelojë ndaj Joshua në shtëpinë e tij. “Unë jam gati të dueloj kudo që Joshua dëshiron, në Rusi apo Angli, pasi në të dyja rastet do të kemi një stadium të mbushur plot me fansa”, tha Alexander Povetkin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat