Marku: Mjafton të fitosh!

Boksi

Marku: Mjafton të fitosh!

Nga: Emiljano Alla Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 16:26
Florian Marku

Kampioni shqiptar në kickboks, Florian Marku, i suksesshmi dhe i pandalshmi deri tani në këtë sport,  po aq edhe të rrezikshëm, pak ditë pas triumfit në Linz të Austrisë në duelin me boshnjakun Xhevat Mutfiç vijon të jetë në qendër të vëmendjes. Pas këtij triumfi është kthyer në Shqipëri për të kaluar disa ditë pushime, por ky triumf nuk ndalet këtu.

Në mbrëmjen e së shtunës në Linz të Austrisë aty ku mes qindra mbështesësh ju arritët një triumf të madh përball kundërshtarit boshnjak Mutfiç, çfarë mund të na thoni?

Florian Marku: Kjo ishte një fitore e madhe dhe e rëndësishme për mua, por dhe shumë e bukur, pasi të gjithë shqiptarët me mbështeten dhe kjo për mua është gjithmonë një fuqi e shtuar.

Përpara kësaj sfide ndryshe nga çdo sfidë tjetër që ju keni bërë, a jeni përgatitur më tepër dhe a e kishit menduar që do të mbyllej shpejt apo kishit menduar një sfidë të fortë dhe të vështirë?

Florian Marku: Çdo ndeshje është e vështirë, por unë për çdo ndeshje përgatitem shumë fortë dhe nuk nënvlerësoj asnjë kundërshtar, fitorja që në minutën e parë është shumë e bukur, por edhe ajo e raundit të fundit është e rëndësishme, mjafton të fitosh.

Sfida midis jush Florian dhe kundërshtarit boshnjak e cila ishte e treta për t’u ndeshur, por pasi dy kundërshtarët para boshnjakut i  anuluan ndeshjet e tyre, a u impenjuat më tepër për ndeshjen e tretë?

Florian Marku: Po, me boshnjakun ishte ndeshja e tretë e përcaktuar për t’u ndeshur, por dy kundërshtarë përpara këtij e anuluan ndeshjen dhe unë jam stërvitur si për të gjithë njëlloj edhe pse ishte vetëm ndeshja me boshnjakun.

Në Linz ju patët dhe shumë mbështetës të ardhur nga Shqipëria, Kosova, diaspora për këtë duet të shumëpritur, mbështetja e tyre, a ishte sadopak një forcë më tepër?

Florian Marku: Në fakt në çdo ndeshje kam mbështetje nga të gjithë dhe për këtë gjë ndihem shumë krenar. Padiskutim mbështetja më jep më shumë forcë.

Në këtë supersfidë ju jeni shoqëruar nga këngëtari Noizy, çfarë mund të na thoni, ndonjë detaj nga ky shoqërim dhe çfarë ju tha Noizi para sfidës?

Florian Marku: E dija që do të më bëjë këtë pyetje. Urime dhe fitore kampion.

Pas trumfit tuaj në Linz të gjithë shqiptarët janë ndier shumë krenar por më shumë krenar janë ndier lushnjarët, a e keni menduar një ditë të zhvilloni një ndeshje në qytetin tuaj të Lushnjës?

Florian Marku: Lushnjarët me kanë bërë krenar, unë kam ikur që i vogël nga Lushnja, po prapë shikoj shumë përkrahje të madhe. Kam menduar të bej edhe një ndeshje në Lushnje, po më vonë.

Kur mund të jetë sfida e radhës?

Florian Marku: Ndeshja e radhës është në Tiranë dhe sa për datën, se kemi mbyllur akoma po do të bëhet muajin që vjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat