Caktohet data e rimeçit Joshua-Klitschko!?

Boksi

Caktohet data e rimeçit Joshua-Klitschko!?

Më: 25 korrik 2017 Në ora: 15:40
Anthony Joshua dhe ukrainasi Wladimir Klitschko

Britaniku Anthony Joshua dhe ukrainasi Wladimir Klitschko, mund të ballafaqohen në muajin e 11-të të këtij vitit përkatësisht me 11 nëntor. Dy boksierët më të mirë në botë, mund ta çojnë sërish tifozerinë në këmbë.  Me miliona shikues ende e kanë të freskët se si kishte triumfuar Joshua në rundin e 11-të ndaj ukrainasit. Të gjithë e presin me padurim këtë rimeç, e cila do të ishte edhe më atraktive, sepse Klitschko do të orvatet t’i revanshohet për humbjen e tmerrshme. Eddie Hearn, menaxheri dhe promotori i kampionit të botës në peshat e rënda, Joshua ka deklaruar se revanshi mes britanikut dhe rivalit ukrainas Wladimir Klitschko mund të zhvillohet më 11 nëntor, në Las Vegas.

Palët duket se kanë arritur marrëveshjen për t’u përballur sërish në ring pas duelit të 29 prillit, ku Joshua fitoi në Londër ndaj Klitschko me “KO” teknik në raundin e 11-të, në një nga sfidat më të bukura të historisë së boksit. Klitschko kishte në kontratë të drejtën e revanshit, por nuk donte që sfida të zhvillohet sërish në Britaninë e Madhe. Hearn ka thënë se me të në udhëtimin e zhvilluar në Amerikë ka qenë edhe Joshua, që ka firmosur dokumentet e nevojshme për të zhvilluar këtë duel në Las Vegas, ku nuk ka dueluar asnjëherë në karrierën e tij. “Kemi bërë disa takime për të saktësuar vendin ku do ta zhvillojmë sfidën këtu në Las Vegas. 11 nëntori është data ku kemi rënë dakord, por do të na duhen edhe 2-3 javë që të saktësojmë të gjitha detajet. Të gjithë ne mendojmë se Las Vegasi është vendi i përkryer për ta zhvilluar këtë sfidë të dytë. Le të kryqëzojmë gishtat që 11 nëntori të konfirmohet”, tha Hearn.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat