Haxhi Krasniqi zbulon emrat e boksierëve dhe kur mund të luftojë për titullin e botës

Boksi

Haxhi Krasniqi zbulon emrat e boksierëve dhe kur mund të luftojë për titullin e botës

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 21 tetor 2016 Në ora: 18:12

Boksieri i mirënjohur shqiptar, Haxhi Krasniqi, stërvitet me përkushtim që të jetë në pikën më të lartë për meçin e ardhshëm. Në kampin e tij është atmosferë jashtëzakonisht e bukur dhe një optimizëm që se shpejti titulli i botës do të jetë në duart e boksierit nga Juniku. Krasniqi si gjithmonë me qetësinë e tij, punon pandërprerë, gjithnjë duke studiuar edhe kundërshtarët e mundshëm. Përgatitjet e tija shkojnë sipas planit, herë stërvit në Itali, herë në Gjermani, gjithnjë me synimin që të jetë në top-formë. Ai është i gatshëm qysh sot të dalë në ring dhe ta mposhtë çdo kundërshtar. E treta do të jetë e vërteta, kështu konstatojnë edhe disa nga njohësit e këtij sporti të shkathtësive bujare, sepse Krasniqi dy herë deri më tash është ballafaquar për titullin e kampionit të botës, por që të dy herët nuk pati fat. Ai me 20 prill të vitit 2013 në Wembly të Londrës, luftoi për titullin e botës në kategorinë gjysmë të rëndë kundër boksieri uellsian, Nathan Cleverly, por pësoi pas 12 rundeve. Me 21 mars të vitit 2015, Haxhi Krasniqi u ballafaqua me gjermanin Jurgen Brahmer në luftë për titullin e kampionit të botës, kategoria gjysmë e rëndë në versionin  WBA, megjithatë, një lëndim e detyroi atë të tërhiqet në rundin e nëntë. Krasniqi po përgatitet që të fitojë titullin e botës në kategorinë super të mesme në versionin WBO dhe të bëhet shqiptari i parë që ka ngritur lart trofe më të çmueshëm. Në Intervistën ekskluzive për gazetën kombëtare “Bota sot” Haxhi Krasniqi zbulon se çfarë është duke bërë tani dhe kur pritet meçi i radhës. Këshilltari i tij, Luan Dreshaj, shprehet se Krasniqi po rritet gjithnjë e më shumë teknikisht.

“Bota sot”:  Haxhi, Po përgatiteni për sfidën e radhës, a mendoni se jeni në formën më të mirë?

Haxhi Krasniqi: Po, tani po e zbuloj këtë fshehtësi, jam në përgatitje për një duel i cili mund të vjen në nëntor, por akoma nuk është 100 për qind i saktë. Megjithatë mua me duhet të stërvitem sikur të boksoja që nesër

“Bota sot”: Cilat janë synimet?

Haxhi Krasniqi: Synimi im është që ta mposhti çdo kundërshtar që me del përpara dhe të bëhem gati për titullin e botës.

“Bota sot”: Ku po përgatiteni më shumë, sa janë të vështira dhe në cilat aspekte punoni me tepër?

Haxhi Krasniqi: Kam kaluar disa javë stërvitje në Bayern, për momentin jam në Itali, javën tjetër prapë në Gjermani.

“Bota sot”: Edhe sa fitore ju duheni deri te titulli i kampionit të botës në kategorinë super të mesme në WBO?

Haxhi Krasniqi: Besoj vetëm edhe një ose dy, kjo varet nga Federatat, por thjesht duhet të kam edhe pak fat me situatën e boksit botëror në këtë kategori. Me pak fat mund të boksoj në pranverë të vitit 2017 për titullin e botës.

“Bota sot”: Cilët nga kundërshtarët janë të mundshëm në luftë për titullin e botës?

Haxhi Krasniqi: Kundërshtarët? Arthur Abraham, Felix Sturm,  Gilberto Ramirez,  Giovanni De Carolis, Tyron Zeuge.

“Bota sot”: Luan, ju si këshilltar i Haxhiut, si e sheh disponimin e tij, a mendoni se po vjen në formën më të mirë, cilat janë sinjalet?

Luan Dreshaj: Haxhiu për momentin është i disponuar shumë mirë, kemi edhe një risi që do ta publikojmë në ditët e ardhshme, një gjë që po e motivon edhe më shumë. Njeriu nuk ndalet së mësuari kurrë, ai po vazhdon të përmirësohet dhe në vitin 2017 shpresoj që do të shpërblehet për punën e madhe tani mbi 11-vjeçare.

“Bota sot”: A mendoni se përvoja e Haxhiut do të jetë arma më e fortë që do t'i realizojë synimet apo ku janë përparësitë e tija?

Luan Dreshaj: Përvoja është një nga ato kryesoret, por ai është akoma duke u rritur teknikisht dhe duke e përmirësuar strategjinë e tij të luftimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat