Humbje tjetër për ekipin më të mirë në Konferencën e Lindjes.
Toronto Raptors pësuan humbjen e dytë radhazi, teksa u mposhtën në “Scotiabank Arena” nga Milwaukee Bucks me rezultat 99-104.
Vendasit e nisën mjaft mirë sfidën, duke e fituar çerekun e parë me rezultatin 30-25, por pakujdesia në dy çerekët e radhës ata lëshuan fitoren nga duart.
Vlen të theksohet se tre më të mirët e sfidës, ishin Ibaka, Leonard dhe Vanvleet, të tre pjesë e Torontos, ndërsa skuadra kanadeze, pavarësisht humbjes, vijon të kryesojë në Konferencën e Lindjes.
San Antonio Spurs, i udhëhequr nga ylli i skuadrës, Demar DeRozan, arriti të mposhtë me rezultatin 110-97 Utah Jazz.
Ekipi nga Teksas dominoi gjysmën e parë të takimit, ku edhe vendosi distancën nga kundërshtari, ndërsa Jazz reagoi vetëm në çerekun e tretë, por pa mundur t’i ndryshojë rrjedhën fatit të takimit.
DeRozan shënoi 26 pikë, 8 asistime dhe 6 kërcime, dhe u ndihmua nga Rudy Gay që shtoi 23 pikë e 15 kërcime në këtë takim, por koshashënuesi më i mirë i ndeshjes ishte basketbollisti i Utah Jazz, Donovan Mitchell i cili realizoi 27 pikë.
Sfida tjetër e mbrëmjes, ishte ajo e luajtur në “Madison Square Garden” të New Yorkut, ku Knicks pësuan humbjen e katërt radhazi, në përballjen me Charlotte Hornets me rezultat 107-119.
Kjo ishte humbja e 20-të për Knicks që kanë edhe tetë fitore.