“FBK synon edhe organizimin e Evropianit 2020”

Basketboll

“FBK synon edhe organizimin e Evropianit 2020”

Më: 30 korrik 2018 Në ora: 23:47
Arben Fetahu

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll për grup moshat U18 është shpallur Kampion Evropian për Divizionin C, pasi mposhti Qipron në finale.

Arben Fetahu, kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës foli rreth organizimit të madh që u bë në vendin tonë, ndërsa u shpreh i lumtur për triumfin e Kosovës në këtë kompeticion.

“Sigurisht se jam shumë i lumtur me triumfin e përfaqësueses sonë. Jam shumë i lumtur që u shpagua mundi së pari i djemve tanë në fushë por edhe për stafin që ka qenë përkrahë tyre”, deklaroi Fetahu.

I pari i FBK-së ka folur edhe për gjasat që Kosova ka në garën e Divizionit B, ku përfaqësuesja jonë garon sezonin e ardhshëm.

“Divizioni B është jashtëzakonisht i fortë. Këtë vit në finale për këtë divizion janë përballur Sllovenia me Izraelin. Kanë qenë pjesëmarrëse edhe shumë përfaqësuese tjera të forta të Evopës si Rusia apo Finlanda, kështu që nuk do të ishte reale që vitin tjetër të presim të kalojmë në Divizionin A më këtë përfaqësuese që kemi”, tha Fetahu.

Fetahu tregoi edhe ambiciet tjera që ka Federata e Basketbollit të Kosovës për organizimin e Europianit për grup moshat U20 në vitin 2020.

“Kërkesë e jona do të jetë që të organizojmë kampionatin U20 që do të mbahet pas dy viteve, pikërisht kur edhe djelmoshat tonë që fituan do të jenë në atë grup moshë, por do të kemi edhe disa djelmosha tjerë që për arsye studimi ose te tjera nuk janë ftuar nga përzgjedhësi Karabegu sivjet”, deklaroi ndër të tjera Arben Fetahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat