Morina: Prizreni e ka pritur me vite titullin - Bota Sot
Morina: Prizreni e ka pritur me vite titullin

Basketboll

E martë, 21 gusht 2018

Morina: Prizreni e ka pritur me vite titullin

Nga: Kemajl Goca Më: 24 maj 2018 Në ora: 19:45
Altin Morina

Bashkimi nga Prizreni futet në histori të basketbollit të Kosovës, duke u stolis me titullin e kampionit, njëherësh pas katër viteve ia ndali hovin Sigal Prishtinës. Prizrenasit në seri të fitoreve e mposhtën me rezultat 3:1 Sigal Prishtinën. Në ndeshjen e katër të finales së play-off-it të IP Superligës së Kosovës, e luajtur në palestrën e sportit në Prizren, Bashkimi shkëlqeu me rezultat 77:61 ndaj Prishtinës. Sigal Prishtina pas katër titujve rresht, nuk ia doli sërish dhe u ndalë nga rivali i vjetër. Për Bashkimin është titulli i parë në histori të tyre, pas pavarësimit të basketbollit tonë nga ai serbosllav. Basketbollistët Altin Morina dhe Urim Zenelaj, janë të lumtur për suksesin e madh dhe sipas tyre, e merituan plotësisht këtë trofe. 

Morina tha se që nga fillimi kanë punuar me intensitet të shtuar edhe e merituan titullin e kampionit. “Që nga fillimi i këtij stinori kemi punuar shumë dhe kemi treguar cilësitë tona, si dhe këtë vit me të vërtetë jemi më të mirët. mbrëmë e kishim motivimin më të madh, tifozerinë të cilët ishin të mrekullueshëm dhe do të ishte mëkat nëse unë nuk do të jepja më të mirën nga vetja. Kjo fitore i dedikohet gjithë prizrenasve që e kanë pritur me vite këtë titull”, tha Morina për gazetën kombëtare “Bota sot”. A mendoni se Bashkimi ka qenë më i mirë, por edhe pa fat që të triumfojë për Kupë si dhe në Ligën Ballkanike, dhe ky titull është i pari në histori te Bashkimit, është një motiv shtesë? “Mendoj që ndikojë lodhja në dy finalet e mëparshme, pasi që dihet që kishim ndeshje shumë të forta në gjysmëfinale, në Kupë sidomos në Ligën Ballkanike.

Edhe fati nuk e deshi, mirëpo më në fund u stolisem me titullin e shumëpritur i cili do të jetë një motiv i madh për vitet e ardhshme”, ka thënë Morina. Merret vesh se jeni të ftuar në kombëtaren e Kosovës për sfidat kualifikuese për Kampionatin Botëror, është edhe një lajm i madh për ju pas titullit të kampionit? “Po, ftesën nga kombëtarja e Kosovës e mora para ndeshjes dhe me të vërtetë ishte një ndjenjë e veçantë në momentin e duhur”, thotë basketbollisti.  Ai flet edhe për synimet e tija: “Për momentin do të fokusohem maksimalisht për ndeshjet me Përfaqësuesen dhe më pas do të mendoj për stinorin e ardhshëm”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test