Zenelaj: Prizreni jeton me basketbollin, titulli po na troket - Bota Sot
Zenelaj: Prizreni jeton me basketbollin, titulli po na troket

Basketboll

E diel, 24 qershor 2018

Zenelaj: Prizreni jeton me basketbollin, titulli po na troket

Nga: Kemajl Goca Më: 17 maj 2018 Në ora: 18:10
Urim Zenelaj në veprim

Bashkimi nga Prizreni kurrë nuk ka qenë më afër titullit të kampionit në IP Superligën e Kosovës. Basketbollisti Urim Zenelaj, tha se janë në formë të mirë dhe është edhe atmosfera jashtëzakonisht e mirë në ekipin e tij, Bashkimi. Klubi “portokallinj” të mërkurën në mbrëmjen arriti fitore të thellë me 17 pikë dallim (97:80) kundër kampionit në fuqi, Sigal Prishtinës. 

Bashkimi udhëheq me 2:0 në serinë e finales së play-off-it dhe vetëm një fitore e ndanë nga titulli. “Jemi më të qetë tani. Problemi ynë është se po arrijmë shumë shpejt në epërsi të thellë, por nuk jemi konstant, po neglizhojmë dhe po lejojmë rivalin mu kthye në lojë”, tha Zenelaj për gazetën kombëtare “Bota sot”. Zenelaj tha se kanë ekipin më të mirë: “Prishtina i ka vetëm pesë lojtarë, ne jemi shtatë lojtarë më të mirë dhe kemi edhe bankën më të fortë. Ata pesë lojtarë janë lojtarë me përvojë, por janë vetëm pesë, ne kemi bankën më të fortë edhe jemi si ekip duke luajtur më mirë se ata dhe normal jemi edhe në formë më të mirë”.

Bashkimi nuk ishte me fat në finalen e Kupës së Kosovës, por edhe në finalen e Ligës Ballkanike, por kësaj here është i vendosur që mos ta lëshojnë titullin e kampionit. “I kemi pritur dy fitore rresht! Kemi qenë të suksesshëm në Ligën Ballkanike, ku ishim në finale, por nuk ia dolëm, duke e ditur se skuadrat e kësaj lige kanë edhe buxhetin më të madh, ndërsa në Kupën e Kosovës nuk kishim fat.  Tek ne, për finalen e play-off-it, me Prishtinë ka qenë frika se mund të ketë vetëkënaqësi sepse e dinim se kemi potencial edhe për me mposhtur në seri të fitoreve me 3:0. Në Kupën e Kosovës nuk patëm fat se u lëndova po ashtu edhe Stutz. Në Ligën ballkanike dhamë maksimumin pa marrë parasysh edhe buxhetin e ekipeve tjera. Ka ardhur koha që të marrim titulli dhe për herë të parë në histori të pas luftës në Kosovë”, thotë Zenelaj. 

“Atmosfera është e mirë brenda klubit, qyteti jeton me basketbollin, çdo njeri në qytet na përkrah dhe iu falënderohem. Çdo lojtar e di rëndësinë e këtij titulli dhe që do të futen në histori të klubit, që për herë të parë e arritën këtë sukses të madh”, thotë ai. Në ndeshjen e tretë finale, Zenelaj beson se do të bëjnë me pak gabime. “Shpresojmë se do të luajmë me pak topa të humbur sikurse në Prizren. Nuk shkojmë me nënvlerësuar Prishtinën, por nuk e kërkojmë patjetër fitoren, sepse jemi në epërsi me 2:0. Me rëndësi të luajmë lojën tonë”, ka thënë Zenelaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test