Jakup Kasapolli: Basketbolli femëror me hapa prapa, pse? - Bota Sot
Jakup Kasapolli: Basketbolli femëror me hapa prapa, pse?

Basketboll

E diel, 19 gusht 2018

Jakup Kasapolli: Basketbolli femëror me hapa prapa, pse?

Më: 13 maj 2018 Në ora: 13:47
Jakup Kasapolli

Vështrim –opinion

Fundi i një sezoni sportiv, është moment i përshtatshëm për përshtypje e rezyme nga kënde të ndryshme të vrojtimit dhe vlerësimit të një fenomeni. Kështu, para pak ditësh, me zhvillimin e aktit final te dy skuadrave më të mira të kampionatit të basketbollit për femra (Penza-Bashkimi), përfundoi edhe ky edicion 2017/2018.

Me faktin se në finale te një kompeticioni  gjenden (zakonisht) me të mirët, apo ajka e tërësisë edhe në këtë degë sportive, atëherë kemi edhe një pasqyrë sadokudo reale të gjendjes momentale, në këtë rast të basketbollit femërorë. Menjëherë të themi se, në këtë finale  Bashkimi triumfoi me rezultat bindës dhe të përgjithshëm 3:0.

Nga këto, Bashkimi  fitoi dy  takime në Pejë dhe një në Prizren, dhe kështu riktheu triumfin e vashave të Prizrenit mbas afër një dekade të dominimit apsolut të vashave të PENZËS, të cilat nga viti 2009 (si fituese të Kupës) bashkë me PRISHTINËN (kohë pas kohe) dominuan basketbollin femëror në këtë periudhe kohore gati dhjetëvjeçare,  duke fituar herë njëra e herë tjetra në këto kompeticione (Kupë apo  Kampionat), ndërsa Bashkimi ishte po ashtu dominante në dekadën e parë të paslufte së bashku me vashat e Prishtinës.

Cilësia

Por, çka në të vërtet tregoi ballafaqimi i këtyre dy skuadrave më të mira të Kosovës? Shihet qartë, se cilësia e lojës së basketbollit në këtë konkurrencë është në rënie e sipër! Këto ndeshje treguan shumë elemente bazike të lojës që nuk janë “pjekur” si duhet, prej  udhëheqjes me top, pasimit, pritjes e deri te shutimi në kosh si akt final i qëllimit. Mos të flasim edhe për faktin se lëvizjet motorike   (vrapimi apo shkëputja (kërcimi) ose koordinimi lëvizjeve   individuale apo lidhjes së aksioneve grupore është larg një standardi mesatarë, apo të dëshirueshëm të një niveli, siç ishte kjo finale.

Dy lojtaret  e Bashkimit të huazuara nga jashtë (SHBA), edhe pse jo te një niveli edhe aq të lartë teknik, megjithatë ishin për një shkallë më të mira në këto ndeshje finale se lojtaret tjera vendase. Këto të dyja pothuajse me kontributin e tyre përcaktuan edhe fatin e fituesit. Në anën tjetër,  PENZA me dy - tri vajza nga gjenerata e sukseseve të kaluara, nuk arriti t’i bëj ballë më shumë BASHKIMIT të “amerikanizuar”.

Kur jemi të ky moment, patjetër duhet cek se niveli teknik por edhe taktik i lojës së basketbollit në vitet e kaluara ishte shumë më cilësore e më kualitative se kjo aktuale. Disa nga ato emra u kujtohen dashamirëve të basketbollit si: Elvira Dushku e Arbnore Perçuku (Prishtina), Elinda Musliu e Dafina Krasniqi (Bashkimi), Aurora Muhaxheri, Vlora Idrizaj, Valbonë Bytyqi, Fiona Beqiri e Saranda Daci (Penza), e shumë  të tjera, si dëshmi e asaj që cekëm në fillim dhe logjikës, se me kalimin e kohës dhe viteve, sporti në çdo degë ka përparim në kohë, në teknikë, në shpejtësi dhe ndryshon për të mirë, kështu ishte deshtë të jetë edhe të gjenerata e tanishme (aktuale) një hap para atyre që ikën, si në planin teknik individual por edhe në atë taktik kolektiv. Por kjo  nuk shihet në realitetin aktual të basketbollit femëror. Pse?

Gjatësia (e trupit)

Basketbollin femërore kosovarë sot, kryesisht e përbëjnë ose e luajnë vajzat me gjatësi mesatare trupore, ose të vogël, që rezulton me një mesatare prej 165-170 cm. Kjo për standardet e kërkuara është një gjatësi tepër e ulët në krahasim jo vetem të nivelit modern botërore, por edhe atij rajonal. Po pse mungojnë lojtaret e gjata në basketbollin e femrave të Kosovës!?  Kjo pyetje ka edhe shumë përgjigje. Disa, këtë fenomen ia atribojnë gjenetikës tonë si popull e race. Por sot në përditëshmëri kemi diçka krejt tjetër, në çdo anë apo pjesë të Kosovës  shohim fëmijë - vajza të gjata që e demanton këtë “teori”. Ndoshta, diçka tjetër është në pyetje, si indiferenca e vajzave me u marrë me sport. Ose “refuzimi” i vajzave me trup të gjatë që injorojnë këtë degë sportive, nga frika mos “po rritem më shumë”! 

Ndoshta arsyeja kryesore është të seleksionimi i gabueshëm apo “infektimi” i pamjaftueshëm dhe me kohë i fëmijëve (vajzave) nga ana e atyre që merren me këtë punë, në moshën sa më të re (6-8 vjeç) per t’i joshë në sport. Sepse kjo është mosha më e përshtatshme, që veç mësimit shkollor ato jetën e tyre ta begatojnë edhe me një aktivitet të dobishëm dhe të shëndosh.  Ngase është e ditur se,  më vonë dhe me ndryshimet anatomike të trupit (fillimi i pubertetit) ato, as që tregojnë ndonjë interesim për angazhime sportive. Kur kësaj i shtojmë edhe fenomenin e epokës “moderne” të internetit, telefonit dhe rrjeteve sociale, atëherë e gjitha është fare e qartë.

Ndryshimi i qasjes  dhe planifikimi

Në periudhën e deritanishme (të pasluftës) dhe punës së strukturave sportive që kanë frekuentuar basketbollin femërorë, (klubet,  shkollat e basketbollit, Federata e Basketbollit) realisht nuk është bërë as përafërsisht mjaftueshëm për ta ngrit cilësinë dhe nivelin e basketbollit femëror në një shkallë më të lartë. Arsyet dhe shkaqet janë të shumta, problemet gjithashtu. Nga çështja e vështirë financiare e klubeve dhe stimulimit modest e deri te “Shovenizmi” mashkullor jo vetem i FBK- së, ndaj basketbollit femëror, por edhe qendrave tjera të medha komunale me ndikim (si Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj, Gjilan, Gjakovë), injoruan  pa pardon dhe  arsy gjininë tjetër.

Pastaj infrastruktura shumë e mangët (sidomos në fillim), e deri të “përkrahja” e klubeve nga komunat dhe donatorëve të rastit apo “sponzorët hileqar dhe mashtrues që shpeshherë kanë qenë ‘të zënë” apo kanë “humb” në gjysmë të rrugës “pa gjurmë”, janë vetëm disa arsye të temës që po e shtjellojmë. Barrën e gjithë kësaj, që basketbolli femërorë (megjithatë) ka mbijetuar, me përbërje gati 100 % të “prodhimit” vendorë, është një e arritur, të cilën e kanë bartur entuziastët e basketbollit,  trajnerët, që kryesisht kanë kontribu e punuar pa kompenzime materiale, e në veçanti prindërit e fëmijëve që me vullnet dhe shpenzime materiale kanë nxitë angazhimin e fëmijëve të tyre për t’u marrë me sport, deri te mosha kur ato kanë arrit diçka nga kjo “maratonë” e angazhimit si lojtare apo përfaqësuese e shkollës së basketbollit, klubit, apo (ndonjëra) edhe shtetin.

Ndryshimi i gjendjes ekzistuese nuk arrihet pa eliminimin e stihisë dhe improvizimeve.  Puna delikate me fëmijë, e sidomos kur janë në pyetje femijët e gjinisë femërore, kërkon jo vetëm punë profesionale, por shumë kujdes dhe maturi nga pedagogu- trajneri, që nga fillimi i punës në formimin e personalitetit sportivë dhe përvetësimin e shkathtësive të basketbollit. Sepse të krijosh një lojtare të mirë, të aftë, të shpejt, të shkathët, duhet punë, duhet mund, duhet sacrificë, duhen vite e vite, e jo me pak se 7 apo 8 vite të punës së pandërprerë dhe koordinim me faktor e kushte për të finalizuar qëllimin. Në këtë drejtim, aftësimi i trajnerëve për punë profesionale me grupmoshat sa më të reja është bazamenti më i rëndësishëm për ndryshime dhe garanca për kthesa pozitive.  

Në fund, një dukuri e botës së zhvilluar sportive është KAMPI REZIDENT që ka të bëj me grumbullimin e telenteve sa më të reja në këto evente rezidente dhe puna në grupe, ku pos shoqërimit, vajzat do të përvetësonin elemente të reja teknike dhe ato të lojës e gjithë kjo duhet të shoqërohet me planprogramet e institucionit më të lartë të basketbollit dhe bashkëpunimi i pandërprerë në relacionet FBK- Klube –Trajner- Prind, si pjesë e planifikimit afatshkurtër, afatmesëm dhe atij afatgjatë.

Autori është pedagog sportiv, ish trajner dhe themelues i KB PENZA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test