NBA, LeBron James nderon Cavaliers, DeRozan nuk mjafton për Raptors

Basketboll

NBA, LeBron James nderon Cavaliers, DeRozan nuk mjafton për Raptors

Më: 23 prill 2018 Në ora: 08:26
LeBron James

Çfarë rivaliteti në çerekfinalet e Konferencës së Lindjes në fazës play off të NBA! Cleveland Cavaliers, falë “Mbretit” LeBron James, e barazuan në 2-2 serinë me Indiana Pacers, duke triumfuar 100 – 104 në “Bankers Life Fieldhouse” të  Indianapolisit. E sigurisht në një përballje kaq delikate “ylli” i Cavs duhej të merrte përgjegjësitë për të shmangur një tjetër humbje në këtë fazë, dhe në fakt dha gjithçka nga repertori i tij për të shmangur një tjetër disfatë që mund të rezultonte fatale.

James shënoi 32 pikë, dha 7 asiste dhe rikuperoi plot 13 topa poshtë koshit, duke eklipsuar “yllin” e Pacers, Oladipo, që mundi të realizonte vetëm 17 pikë. Domantas Sabonis, djali i të madhit Arvydas Sabonis, rezultoi më i miri për Indianën me 19 pikë dhe 6 rikuperime, por që ishin të pamjaftueshme përballë fuqisë së LeBron James, i cili qëndroi plot 46 minuta e 8 sekonda mbi parket. Drithëruese perioda e fundit, me skuadrat që i morën disa herë kryesimin njëra-tjetrës, por në fund festa ishte për Cavs. Tashmë përballja e pestë e serisë zhvendoset në “Quicken Loans Arena” të Clevelandit.

Washinton Wizards arrijnë të kthejnë gjithçka në baraspeshë me Toronto Raptors, pasi fituan 106 – 98 ndeshjen e katërt të Serisë në “Capital One Arena” të Washingtonit, duke barazuar 2-2. Funksoinoi në perfeksion dyshja Bradley Beal-John Wall me 58 pikë në total. Nëse Beal shënoi 31 pikë, Wall spikati veçanërisht me 14 asiste. Statistika këto që sfumuan paraqitjen e lojtarit më të mirë të Raptors, De Rozan, që i vetëm realizoi 35 pikë.

Kanadezët shfaqën sërish papjekuri, pasi kryesuan thuajse gjatë gjithë ndeshjes, madje edhe me +14 pikë në fillim të periodës së tretë, duke lëshuar gradualisht terren, derisa Wizards morën kryesimin në mesin e periodës së fundit, për të fituar në fund me 8 pikë diferencë. Edhe në këtë rast përballja e pestë e Serisë zhvendoset në “Air Canada Centre” të Torontos.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat