Emra: Ardhja e amerikaneve ka ndryshuar lojën e Bashkimit

Basketboll

Emra: Ardhja e amerikaneve ka ndryshuar lojën e Bashkimit

Nga: Kemajl Goca Më: 20 prill 2018 Në ora: 13:35
Ulpiana Emra

Bashkimi nga Prizreni po rikthehet sikurse në kohërat më të mira, sikur në vitet e pas luftës. Vashave prizrenase iu duhet edhe një fitore dhe të kualifikohen në finalen e madhe.  Basketbollistet e Bashkimit treguan lojë të madhe në kryeqytet dhe e mundën me rezultat bindës 102:72 fituesen e Kupës së Kosovës, Pro Bet Prishtinën, në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së play-off-it të Kampionatit të Kosovës. Kjo humbje për Pro Bet Prishtina ka qenë një “flakaresh” i madh, por shpresojnë t’i revanshohen prizrenasve. Ulpiana Emra, prej basketbollisteve më të mira në vendin tonë, motor i ekipit të Bashkimit, me 18 pikë të shënuara, kontribuoi në fitore me 30 pikë diferencë ndaj vashave te Fidan Shatrit. Emra ka deklaruar për gazetën kombëtare “Bota sot”, se duhet që të përgatiten për ndeshjen e dytë dhe për fitoren e radhës.

Bashkimi ka ndryshuar shumë, a e keni pritur një fitore me 30 pikë diferencë në kryeqytet ndaj Pro Bet Prishtinës? “Me të vërtetë kemi punuar shumë gjatë këtij gjysmësezoni për të arritur këtu ku jemi. Ardhja e amerikaneve e ka ndryshuar plotësisht lojën tonë dhe na ka dhënë një frymë të re si dhe motivim shumë të madh, kështu erdhi edhe ajo fitore bindëse të cilën mund të them që e kemi pritur”, tha Emra.

Prishtina nuk e kishte pritur këtë fiasko sepse pretendonte fitore, duke u bazuar në disa nga basketbollistet që ka mjaft të mira, por në praktikë doli ndryshe, një Bashkim superior. Emra tregon se ku ishin pikat e forta të kësaj fitore të thellë: “Koncentrimi maksimal që nga momenti i parë, ku edhe aplikuam mbrojtje të mirë e në sulm nuk kishim problem asnjëra që të shënojmë pikë”. Emra luan në pozitën 2-3, por edhe ku e kërkon nevoja gjatë ndeshjes. 

Image

A ishte Prishtina shumë e dobët apo Bashkimi shumë i fortë? “Mendoj se tani më e kemi një ekip shumë të mirë në çdo pozicion, gjë që Prishtina nuk mundi të na bëj ballë”, përgjigjet basketbollistja prizrenase.  Sipas saj, duhet që të përgatiten maksimalisht për ndeshje dhe jo të fluturojnë para kohe. “Asgjë nuk ka përfunduar dhe nuk mendoj që e kemi fituar komoditetin pavarësisht rezultatit, kemi edhe 40 minuta ku duhet të aplikojmë lojë të njëjtë ashtu si në Prishtinë dhe të shënojmë fitore në mënyrë të njëjtë”, thotë Emra, prej basketbollisteve më luftarake në ekip.

A mendoni se keni ekipin më te mirë se KB Penza? “Vet rezultatet qe i kemi shënuar deri me tani tregojnë cilësinë e ekipit tonë në këtë gjysmësezon. Fitorja me 42 pikë epërsi ndaj Penzës ne Prizren e tregon më së miri dallimin mes neve dhe ekipit i cili e mbylli stinorin e rregullt në pozitën e parë. Bile në këtë ndeshje ishin mbi një mijë shikues”, tregon Emra.

Lista e lojtareve:

Ulpiana Emra, Khadia Brown, Anastasia Williams, Erona Krasniqi, Aulona Muhadri, Melda Baliqi, Elira Vorfaj, Gresa Gashi, Kybra Kala, Dea Çejku dhe Sara Vraniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat