Të kënaqur me organizimin e turneut

Basketboll

Të kënaqur me organizimin e turneut

Më: 9 prill 2018 Në ora: 14:32
Pamje nga një ndeshje

Ka përfunduar Turneu Ndërkombëtar U15 "Prishtina 2018" në kuadër të projektit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja të FIBA Evropës.

Në këtë turne që ka filluar më 6 dhe është përmbyllur më 8 prill, kanë marr pjesë Kosova, Maqedonia, Bullgaria dhe Rumania, ndërsa çdo ditë janë zhvilluar nga dy ndeshje, ku secila skuadër është takuar me tjetrën.

Kosova U15 e ka nisur me fitore ndaj Rumanisë turneun, ndërsa më pas është mposhtur nga Bullgaria dhe krejt në fund edhe nga Maqedonia. Në fakt kjo e fundit ka qenë e vetmja skuadër që nuk e ka regjistruar asnjë humbje, derisa Bullgaria ka qenë ajo që është mundur vetëm nga Maqedonia, derisa Rumania nuk e ka realizuar asnjë fitore, kurse Kosova e ka shënuar një fitore.

Ky turne njëherësh ka qenë aktiviteti i fundit në kuadër të projektit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja të FIBA Evropës, projekt ky që është udhëhequr nga Federata e Basketbollit të Turqisë, ndërsa është implementuar nga katër shtetet e lartëpërmendura.

Në kuadër të këtij projekti janë organizuar kampe nacionale, kampe ndërkombëtare, vizita të trajnerëve në Turqi, turne të ndryshëm, dhe tani është radha e përmbylljes së projektit dhe evaulimit të tij nga menaxherët e katër federatave, e kjo ka ndodhur në Prishtinë në ditën e fundit të turneut.

Ky takim është udhëhequr projekt menaxheri i Federatës Turke të Basketbollit, Yagiz Kaba dhe nga udhëheqësja e projekteve në FIBA Evropë, Elisabeth Cebrian dhe nga Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së.

Takimi është mbajtur në zyre të Federatës së Basketbollit të Kosovës, kurse Turneu Ndërkombëtar “Prishtina 2018” është zhvilluar në palestrën e sportit të Kolegjit “ISP” në lagjen “Marigona Residence.

Të gjithë pjesëmarrësit e turneut janë ndarë shumë të kënaqur me organizimin e turneut dhe takimit nga Federata e Basketbollit të Kosovës, derisa kjo e fundit ka marr lavdata edhe nga FIBA Evropa për punën intensive që po e bën për gjeneratat e reja, në të dyja konkurrencat.

Duhet theksuar se pas evaluimit të projektit, të pesë shtetet, pra Turqia, Kosova, Maqedonia, Bullgaria dhe Rumania në muajin qershor do të fillojnë një tjetër projekt dy vjeçar, për gjeneratat 2004/05, por që kësaj radhe projekti do të jetë për të dyja konkurrencat, femra dhe meshkuj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat