Më 28 shkurt fillon Kupa e Kosovës

Basketboll

Më 28 shkurt fillon Kupa e Kosovës

Më: 6 shkurt 2018 Në ora: 14:12
Ilustrim

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) së bashku me KB Golden Eagle Ylli sot kanë organizuar konferencë të përbashkët për media në zyrat e FBK-së, me ç’rast i kanë  shpalosur detajet e Final 8 të Kupës së Kosovës.

KB Golden Eagle Ylli është organizator i kësaj ngjarje madhështore, pasi që ditë më parë i ka plotësuar të gjitha kushtet e parashtruara në konkursin e shpallur nga FBK-ja.

Të pranishëm në konferencë ishin Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së dhe Naim Berisha, kryetar i KB Golden Eagle Ylli, me ç’rast edhe e kanë nënshkruar kontratën në të cilën përshkruhen në detaje obligimet e organizatorit të Final 8.

Final 8 i Kupës së Kosovës do të zhvillohet prej 28 shkurt deri më 4 mars në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.

Më 28 shkurt do të luhen dy ndeshje çerekfinale, Rahoveci-Kerasan Prishtina dhe Golden Eagle Ylli-Borea, kurse më 1 mars në program janë dy takimet tjera çerekfinale, Sigal Prishtina – Kalaja dhe Bashkimi – Trepça. Më 2 mars do të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale, kurse më 4 mars finalet në të dyja konkurrencat. Ceremonia hapëse e Final 8 të Kupës së Kosovës do të bëhet të mërkurën.

Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së:

“Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për Final 8 të Kupës së Kosovës, e cila për ne është ndër ngjarjet më të rëndësishme për këtë vit.

Kupa e Kosovës për herë të parë do të organizohet me këtë format, pra FINAL 8, duke filluar nga dita e mërkurë 28 shkurt e deri të dielën 4 mars, kur edhe do të zhvillohen finalet në të dyja konkurrencat. Final 8 më parë është organizuar në Gjakovë më 2014, por jo në këtë format. KB Golden Eagle Ylli në vitin 2015 ka qenë organizator i Final Four të Kupës së Kosovës, dhe ne besojmë se kjo skuadër do t’i kryej të gjitha obligimet që i ka në bazë të kontratës dhe do të organizoj këtë ngjarje, e cila besojmë se do të jetë madhështore.  Po ashtu ne jemi të bindur se për këto katër do të kemi rastin të shohim basketboll cilësor, i cili do t’i kënaq të gjithë adhuruesit e basketbollit.

Më 4 mars, në Suharekë do të mbahet Kuvendi i Punës i FBK-së, ndërsa gjithashtu në kuadër të Final 8 të Kupës së Kosovës në Suharekë prej 28 shkurt deri më 3 mars do të organizohet nga FIBA Evropa dhe FBK, Klinika për Gjyqtarët Kandidatë Potencial për thirrje të FIBA-s. Klinika do të udhëhiqet nga drejtori i Departamentit të Gjyqtarëve në FIBA Evropë, Davorin Nakiç (Kroaci), ndërsa do të ligjerojnë instruktorët e FIBA-s, Gjorgji Piperkov (Maqedoni) dhe Faton Kurshumlija (Kosovë). Ndërkaq pjesëmarrës të Klinikës do të jenë 9 gjyqtarë potencialë, 4 nga Kosova dhe 5 të tjerë nga shtetet si Turqia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Klinika është ndarë në tri pjesë: teori, testime dhe praktikë. Ligjeratat do të mbahen në ambientet e hotelit “Solid”, kurse gjyqtarët do të kenë rastin të ndajnë drejtësinë në ndeshjet e FINAL 8. Duhet theksuar se kjo është hera e tretë radhazi që FBK-së i besohet një organizim i tillë nga FIBA, pasi kjo e fundit është shumë e kënaqur me punën dhe organizimin në përgjithësi të bërë në dy vitet e mëparshme nga Federata e Basketbollit të Kosovës”.

Naim Berisha, kryetar i KB Golden Eagle Ylli:

“Klubi Golden Eagle Ylli e ka dëshmuar në vitin 2015 se është i denjë për organizime të tilla, por tani me formatin e ri, pra Final 8 besoj se do të kemi më shumë obligime dhe përgjegjësi, por ne zotohemi se do t’i kryejmë të gjitha punët që dalin nga kontrata dhe udhëzuesi për organizimin e Final 8.

Presim që në Final 8 shikuesit të jenë në numër sa më të madh dhe që gjithçka të frymojë në mënyrë sportive. Ne si organizator në bashkëpunim me FBK-në do të bëjmë përpjekje maksimale që ky event të kalojë në mënyrën më të mirë të mundshme që KB Golden Eagle Ylli të mbahet mend për organizime të shkëlqyeshme”.

Duhet theksuar se në konferencën e radhës që do të organizohet nga KB Golden Eagle Ylli pak ditë para fillimit të Final 8, të pranishëm do të jenë përfaqësuesit e klubit, të FBK-së, si dhe kapitenët e ekipeve pjesëmarrëse. Gjithashtu këtë ditë do të akreditohen edhe mediat që do ta përcjellin këtë ngjarje.

Fituese të Kupës së Kosovës për edicionin 2016/17 janë Sigal Prishtina te meshkujt dhe Pro Bet Prishtina te femrat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat