Biraj: Ka rënie në cilësi

Basketboll

Biraj: Ka rënie në cilësi

Nga: Kemajl Goca Më: 5 nëntor 2017 Në ora: 17:19
Biraj

Në vitet e pasluftës nuk jemi mësuar ta shohim renditjen tabelore me një Trepçë në fund apo një Pejë në pozitën e pestë pas 7 jave të zhvilluara deri me tash në Superligën e Kosovës në basketboll. Trepça aktualisht është e fundit me 8 pikë apo ka një fitore e gjashtë humbje, kurse Peja ka 10 pikë apo 3 fitore e 4 humbje. Dy skuadra me renome që po kalojnë periudhë shumë të vështirë, pasi që kanë mbetur me skeletin e  lojtarëve vendorë, ndonëse mitrovicasit së fundi janë përforcuar dhe shpresojnë se gradualisht do të ikin nga pozita e fundit.

Sigal Prishtina është pa humbje në 6 ndeshjet e para, kryeson  por e mban pozitën e dytë me 12 pikë, dy ndeshje me pak se lideri Bashkimi nga Prizreni, që ka 13 pikë apo pesë fitore e tri humbje. Biraj tha se vështirë është të veçohet Bashkimi për diçka: “Kemi ndryshime të shumta në përbërje dhe ende është herët të veçohet ndonjë karakteristikë që na dallon në këtë edicion”. Sa është vështirë të luftohet në tri fronte, për Kupë të Kosovës, për kampionat dhe për Ligen Ballkanike? “Duke marrë parasysh kushtet dhe rrethanat se si përgatitemi realisht është vështirë përballja në tri fronte, mirëpo ne do të mundohemi që ta japim më të mirën nga vetja dhe të paraqitemi sa me denjësisht”, tha Biraj.

Bashkimi nuk ka ecuri te mirë në dy javët e para në Ligën Ballkanike, duke pësuar dy humbje, por shpresojnë se do të këndellen dhe të arrijnë rezultate më të mira. Biraj flet edhe për cilësinë e basketbollit tonë, e cila tani për tani nuk e ka atë të viteve të kaluara. “E kisha veçuar vetëm një fakt për të treguar që këtë vit ka rënie në cilësi, paksa duke i parë duelet e ndërsjella në mes të 4-shes së madhe, ku rivaliteti nuk është siç ka qenë. Mirëpo është një gjë pozitive, këtë vit lojtarët vendorë në disa skuadra kanë hapësirë ta shfaqin talentin dhe potencialin e tyre”, thotë Biraj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat