FSHB zyrtarizon datat e sezonit të ri

Basketboll

FSHB zyrtarizon datat e sezonit të ri

Më: 11 korrik 2017 Në ora: 17:24
Pamje nga një ndeshje

Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB), përmes një komunikimi zyrtar me klubet e shoqatat sportive bën me dije se sezoni i ardhshëm sportiv 2017-2018 në këtë sport do të nisë më 6 tetor. Në këtë datë do të luhen takimet e para të kampionatit në të dyja kategoritë, meshkuj e femra, ndërkohë që sezoni do të përfundojë në maj të 2018-ës me ndeshjet e play off-it. FSHB sqaron se struktura e kampionatit të ri nuk do të ketë asnjë ndryshim nga ajo e sezonit të kaluar. Kështu, kampionati i meshkujve do të jetë me dy grupe: Superliga dhe Kategoria e Parë, ndërsa te femrat gjithçka do të varet nga numri i ekipeve që do të regjistrohen (nëse janë 9 skuadra do të luhet me një grup të vetëm).

Gjithsesi, 6 tetori është vetëm një datë ku do të hidhet për herë të parë topi, ndërkohë që klubet dhe shoqatat sportive duhet të kujtojnë mirë disa data të tjera më parë. Më 15 gusht, të gjitha ekipet duhet të konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre sezonin e ri, ndërsa deri më datën 15 shtator duhet të kenë kryer edhe regjistrimin pranë FSHB-së (pagesat përkatëse). Pas kësaj date do të hidhet edhe shorti i kampionatit të ri, më 22 shtator (ora 12:00). FSHB ka përcaktuar edhe datat e Kupës së Shqipërisë, aktivitet i cili do të nisë më 23 tetor, me ndeshjet eliminatore, ndërsa finalet e këtij eventi do të zhvillohet më 28 nëntor. Ndërsa Superkupa e Shqipërisë do të zhvillohet më 18 prill të vitit të ardhshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat