Basketboll, kampionati i 36 Europian starton me surpriza

Basketboll

Basketboll, kampionati i 36 Europian starton me surpriza

Më: 17 qershor 2017 Në ora: 03:01
Basket, femra

Kampionati i 36 evropian i basketbollit për femra fillon me një surprizë, teksa kampionet në fuqi të Serbisë u mundën që në takimin hapës me përfaqësuesen greke. Në aktivitetin më të rëndësishëm në rang përfaqësuesesh të Kontinentit të Vjetër, kompeticion që do të zhvillohet deri më datë 25 qershor në Republikën Ceke, marrin pjesë 16 skuadra gjithsej, të ndara me skemën klasike në katër grupe, prej nga ku do të kualifikohen vetëm dy vendet e para. Dy vjet më parë në evropianin e zhvilluar në Hungari dhe Rumani ekipi serb mposhti në finale një superfuqi si Franca, gjithsesi këtë herë gjërat duken tepër të vështira, pasi kampionet në fuqi humbën 69 – 60 me përfaqësuesen helene. Në Kralovka Arena të Pragës Greqia befasoi që në fillim duke fituar 10′ e parë 19-11, sidoqoftë Serbia fitoi periodën e dytë 19-16, duke ngushtuar diferencën në interval në 35-30. Pavarësisht dominimit të mbrojtjeve, gjë që kuptohet edhe nga vetë rezultati të dy ekipet gabuan shumë, gjithsesi perioda e tretë ishte ajo që prodhoi më shumë pikë, fraksion ku skuadra e Stevan Karadzic fitoi 21-18, duke shkuar në 10′ përmbyllës me disavantazhin e ngushtë 53-51.

Krejt ndryshe nga c’pritej në këtë periodë ekipi i Konstantinos Keramidas përforcoi mbrojtjen, duke i limituar basketbollistet serbe në vetëm 9 pikë. Greqia rezistoi deri në fund duke fituar gjithë takimin me rezultatin 69-60, ndeshje ku spikati Artemis Spanou me 18 pikë dhe Evanthia Maltsi me 16 pikë e 9 rebound e 5 asist, ndërkaq te kampionet në fuqi lojtarja më e mirë ishte padyshim Jelena Milovanovic, që e mbylli sfidëm ne 17 pikë e 8 topa në tabelë. Të dy ekipet bëjnë pjesë në Grupin C, grup që konsiderohet shumë i vështirë, pasi aty bëjnë pjesë gjithashtu edhe skuadra të tilla si Franca dhe Sllovenia. Kjo ishte një ndër ndeshjet më dramatike të ditës së parë dhe nënkampionet e dy edicioneve të fundit djersitën vërtet shumë për të thyer qëndresën e ekipi slloven. Rivaliteti u kuptua më së miri që në pushimin mes dy pjesëve, kur basketbollistet franceze kryesonin 34-33, ndërsa i gjithë takimi u mbyll me shifrat 70-68, sidoqoftë skuadra e Damir Grgic shpërdoroi pikërisht në sekondat e fundit mundësinë për të fituar ndeshjen por tentativa për tre nga jashtë perimetrit përfundoi larg koshit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat