Basket Meshkuj, Tirana kampione pas 5 vitesh

Basketboll

Basket Meshkuj, Tirana kampione pas 5 vitesh

Më: 29 prill 2017 Në ora: 22:38
Basket

Tirana fiton edhe ndeshjen e tretë të play off-it përmbyllës, të edicionit të 71, duke siguruar njëkohësisht edhe titullin e 19 në historinë e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj. Pak a shumë pritej, sidomos pas koshit përcaktues të Griffin në sekondën e fundit dhe fitores dramatike të “bardhebluve” brenda në Pallatin e Sportit Qazim Dervishi të qytetit të Shkodrës, që e afroi ekipin e Nikola Milatovic akoma më shumë me titullin. Skuadra e Tiranës u duk tepër e motivuar për ta mbyllur cështjen e titullit brenda në Asllan Rusi. E shoqëruar gjatë gjithë kohës nga tifozeria e zjarrtë “bardheblu” Tirana e filloi shumë mirë takimin dhe pas koshit të parë të shënuar nga Hamati i Vllaznisë vendasit u shkëputën që në start me shifrat 8-2, për të përfunduar periodën hapëse me rezultatin 26-15.

Shima ishte i papërmbajtshëm dhe falë eksperiencës së tij 30-vjecari realizoi 16 pikë vetëm në pjesën e parë, një pjesë ku Vllaznia falë edhe ndërhyrjeve të shpeshta të trajnerit Jeronimo Sharin në periodën e dytë reagoi pozitivisht, duke ngushtuar vazhdimisht diferencën. Ekipi shkodran pas koshit të shënuar që në fillim u rikthye për të marrë kryesimin me shifrat 31-30, gjithsesi epërsia 37-35 përbën edhe avantazhin e fundit të miqve në këtë ndeshje të tretë, sepse skuadra e Milatovic shënoi pikët e fundit të 10′ të dytë, duke shkuar në interval me rezultatin e ngushtë 39-37. Vllaznia fitoi qartësisht fraksionin e dytë 22-13, sidoqoftë pas rezultatit të ngushtë 60-58 Tirana mori kontrollin e ndeshjes, duke shkuar në 10′ e fundit me rezultatin 65-58. “Bardheblutë” siguruan një avantazh të pjesshëm 10-0, që i shkëputi vendasit në epërsinë maksimale 70-58 dhe kjo gjë rezultoi fatale për skuadrën shkodrane që u shthurr dhe iu rikthye sërish zgjidhjeve individuale dhe tepër të sforcuara.

Nëse në pjesën e parë ishte Shima përcaktues, në 20′ e dytë ekipin e mori përsipër Endrit Hysenagolli. Qendra e Tiranës, 210 cm, që kishte shënuar vetëm 1 gjuajtje të lirë gjatë gjithë pjesë së parë, realizoi plot 19 pikë në pjesën e dytë dhe “kuqeblutë” në vend që të afroheshin humbën sërish terren duke ndjekur me shifrat 82-70, gjithsesi fundi i takimit u shndërrua në shoë dhe vendasit mbyllën gjithë ndeshjen me rezultatin 87-80, duke kompletuar edhe fitoren e tretë, të serisë përmbyllëse. Pas humbjeve 98-71 dhe 90-87 kampionët në fuqi synonin të mbanin të gjalla shpresat për titull dhe të rikthenin përsëri finalet e play off-it në “Qazim Dervishi”, sidoqoftë ekipi shkodran që kishte fituar edhe tre titujt e fundit të kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj mbetet në kuotën 9, ndërsa Tirana natyrisht falë edhe punës së shkëlqyer të trajnerit Nikola Milatovic rikthehet te titulli për herë të parë që nga viti 2012, duke koleksionuar njëherësh edhe titullin e 19 kampion në historinë e klubit, për të kurorëzuar kështu një sezon të paharrueshëm, ku “bardheblutë” fituan gjithcka, Kupën Superkupën dhe Kampionatin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat