Spektakël i Fanatics, Tirana e basketbollit mposht Vllazninë

Basketboll

Spektakël i Fanatics, Tirana e basketbollit mposht Vllazninë

Më: 4 shkurt 2017 Në ora: 07:17
Fanatics

Tifogrupi “Tirona Fanatics” jep spektakël në pallatin e sportit “Fahrie Hoti” në përballjen e kampionatit mes Tiranës dhe Vllazninë në basketboll për meshkuj, duke dhënë kontribut në fitoren 73-67 të bardhebluve ndaj rivalëve më të fortë të kompeticionit. Pasi munguan në tribunat e “Selmas Stërmasit” në sfidën e Kupës ndaj Kukësit në shenjë porteste ndaj drejtuesve të skuadrës se futbollit pas marrëveshjes me Partizanin për stadiumin, ultrasit bardheblu e zhvendosën në masë mbështetjen e tyre për ekipin e basketbollit, që kryeson kampionatin, teksa ka pësuar vetëm një humbje ndaj Teutës.

Pikërisht brohoritjet e “Fatics” patën një ndikim të drejtpërdrejtë në lojën e Tiranës, që arriti të fitonte me 6 pikë diferencë, duke rikuperuar madje një dizavantazh prej 12 pikësh të krijuar gjatë periodës së dytë, me pjesën e parë që u mbyll 26-38. Tirana e ktheu në avantazhin e saj mbështetjen e tifozëve që kishin mbushur “Fahrie Hotin” në periodën e tretë me një rezultat të pjesshëm 29 – 15, ndërsa në periodën e fundit djemtë bardheblu që drejtohen nga Milatovic ruajtën qetësinë duke fituar me 6 pikë diferencë ndaj skuadrë së Gjecajt. Në fund të takimit pati incidente sporadike mes tifozëve të të dyja skuadrave, me situatën që u qetësua me ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat