Për strategjinë e gabuar të klubeve, pasojat i bartë kombëtarja

Basketboll

Për strategjinë e gabuar të klubeve, pasojat i bartë kombëtarja

Nga: Blerim Krasniqi Më: 21 shtator 2016 Në ora: 11:51
Blerim Krasniqi

Debate

Çdo garë kualifikuese për basketbollin sikur ky evropiani dhe që përfundoi, nga gabimet nxjerrim mësime. Nuk duhet pritur momentin e fundit, duhet me menduar për të ardhmen, e theksoi kushtimisht, që të jemi në gjendje gatishmërie dhe jo sikur kësaj here që patëm gabime të panumërta. Por duke u bazuar në debutimin e  kombëtares së Kosovës në basketboll, ka qenë një përvojë e mirë, por gabimet që i bënë nuk duhet të përsëriten në të ardhmen. Duhet të mendojmë si në organizim, planifikim, strategji, me përgatitur ekipin për garat e ardhshme kualifikuese në Kampionatin Botëror jo vetëm për seniorë, por edhe për grupmoshat e reja.  Nuk duhet të shkojmë me deklarata bombastike, kur dihet se me çfarë fonde të lojtarëve jemi dhe çfarë kushte zhvillojnë aktivitetet. Ndoshta kemi mundur me nxjerrë ndonjë fitore sidomos në takimin e fundit me Bullgarinë, kur dëshpëruan sikurse edhe para kësaj, me Ukrainën. Opinioni basketbolldashës kanë pritur fitore, por gabimet ishin ato që mbetem me të gjitha humbje. Pra, një organizim më i mirë, një lojë më të mirëfilltë e të kontrolluar dhe të përgjegjshëm, mund të vijmë te suksesi.  Ndeshjet sidomos me Ukrainën e Bullgarinë, duhet të harrohen sa më shpejtë, por t’i qasem punës organizative dhe stërvitjeve në çdo aspekt. Të kemi grumbullime, seleksionime sa më të hershme. Të identifikojmë lojtarët ku gjenden në rruzullin tokësor që kanë të drejtë me bartë fanellën e Kosovës, po ashtu edhe brenda ligës tonë dhe të krijojmë një kombëtare të denjë.  Me lojtarët e ligës tonë që kanë minutazh të cunguar nuk mund të kërkojmë më shumë e as përgjegjësi. Sepse kjo është në kundërshtim me vetveten, sepse kanë mungesë të eksperiencës. A kemi lojtarë? Duke u bazuar me shtetet e rajonit, si Malin e Zi e Maqedoninë, ata numerikisht nuk kanë shumë basketbollistë aktiv, por punojnë më shumë se ne. Shpesh herë e theksoi kodin zhvillimor, çka nënkupton me pasur prej kategorive të reja, sepse vetëm kështu krijohet bërthama e kombëtares A.  Duhet me filluar seriozisht mi përcjell lojtarët e rinj, mi iu dhënë hapësirën e merituar dhe me gjetur bartës apo lider për të ardhmen e ekipit. Të shkojmë sa më shumë në kampe, të kemi me tepër miqësore dhe jo me dy-tri lojë të futem në garat kualifikuese siç na ndodhi së fundi. E di që ankohen se mungojnë qendrat, por duhet të bëjmë përzgjedhjen me kohë. E kemi Lis Shoshin në ligën e Kolegjit Amerikan, pastaj ta thërrasim djalin e Besim Maxhunit, ky i fundit nuk e di se si e ka të rregulluar dokumentacionin.  Kështu që mos të na përsëritet rasti si i Gëzim Morinës, që shkaku i minutazhës në Sigal Prishtinë, iku për në Slloveni dhe luan në kombëtaren e këtij vendi. Sepse sikur ta kishte ai një trajtim më duhur sot do të ishte tek ne. Llogarite Sigal Prishtina në Ligën Ballkanike ka pasur vetëm Dardan Berishën nga lojtarët vendorë, ndërsa të gjithë të tjerët të huaj në pesëshen e parë, ose klubet kanë tre lojtarë të huaj në pesëshen e parë apo 75 për qind të lojtarëve të huaj. Strategjia e gabuar e klubeve, pasojat i bartë kombëtarja.

Autori është trajner i basketbollit

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat