Berranija: Ekipet më të papërshtatshme - Flamurtari, Durrësi dhe Tirana

Basketboll

Berranija: Ekipet më të papërshtatshme - Flamurtari, Durrësi dhe Tirana

Nga: Kemajl Goca Më: 8 shtator 2016 Në ora: 17:15
Edona Berranija

Basketbolli i femrave po shënon ngritje në Kampionatin Shqiptar. Disa ekipe janë mirë të organizuara dhe synojnë të jenë në kreun e renditjes sidomos në garat e përfundimtares (play-off) në luftë për titullin e kampionit. Ambicie të mëdha ka edhe ekipi nga Shkodra, Vllaznia, e cila tash e disa ditë ka filluar përgatitjet për edicionin e ri.  Basketbollistja Edona Berranija shprehet optimiste se do të kenë një edicion shumë të mirë dhe do t’i sfidojnë kundërshtaret në luftë për titullin e kampionit. “Në fakt, stërvitjet nuk i kemi ndërprerë edhe gjatë sezonit veror. Pushimi i vetëm ka qenë pas kampionatit të kaluar ku të gjitha kishim të drejtën e pushimit dy javë,  pastaj stërvitja ka nisur pa ndalesë. Në stërvitemi në pallatin e sportit ‘Qazim Dervishi’, ku merremi me përgatitjen teknike, gjithashtu edhe në salla forcë ku bëhet përgatitja fizike. Po punojmë shumë për të arritur objektivat tona që të dalim në vendet e para të kualifikimit”, tha Berranija për gazetën kombëtare “Bota sot”. Cilat janë synimet e Vllaznisë? “Kampionatin e kaluar zumë vendin e 4-të, këtë vit pretendimet janë edhe më të mëdha pse jo të dalim kampion”, thotë 20-vjeçarja e cila luan në pozitën e anësores dhe të qendrës. Ajo shprehet se janë edhe disa ekipe të papërshtatshme. “Ekipet më të papërshtatshme janë Flamurtari, Durrësi dhe Tirana. Këto janë ekipet me të cilët rivalizohemi më tepër”, ka thënë basketbollistja shkodrane. Sipas saj ka ngritje të nivelit të lojës: “Në fakt nuk është se i kushtohet rëndësia e duhur ekipeve të femrave në përgjithësi, por këto vitet e fundit besoj dhe në vazhdim rëndësia do të jetë gjithmonë në ngritje. Ekipi Vllaznia është gjithmonë në pretendime e sipër për të dalë me rezultate sa më të mira”. Sa keni njohuri për basketbollin e femrave në Kosovë? “Në fakt kam njohuri për faktin sepse shumë vajzave të ekipeve të Kosovës kanë luajtur në ekipet e Shqipërisë. Gjithashtu kemi zhvilluar edhe ndeshje miqësore me ekipin e Bashkimit nga Prizreni apo këtë vit ku morëm pjesë në turneun mbarëkombëtar në Gjilan, ku zumë edhe vendin e parë. Prandaj mund të them që me shumë vajza atje kemi miqësi dhe marrim edhe informacione për mbarëvajtjen e basketbollit në Kosovë”, thotë Berranija, e cila tregon edhe për një ofertë që kishte në të kaluarën: “Kam pasur bisedime me trajnerin e Dritës nga Gjilani, profesor Afrim Selimi, por për arsye të shkollimit që po ndjek këtu nuk kam mundur të vazhdoj bisedime të mëtejshme”.

Të luash për kombëtare...

Berranija tha se ishte ndjenjë e lezetshme të luash për kombëtaren e Shqipërisë. “Vitin e kaluar ishte hera e parë që u bëra pjesë e Kombëtares Shqiptare. Ishte emocion i madh të vishja për herë të parë atë fanelle me aq shumë vlera”, tha Berranija.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat