Basket, SHBA “shtypin” Serbinë, fitojnë medaljen e Artë

Basketboll

Basket, SHBA “shtypin” Serbinë, fitojnë medaljen e Artë

Më: 22 gusht 2016 Në ora: 09:19
Dominimi i Dream Team ishte aq i madh saqë në fund të periodës së tretë tabela elektronike tregonte shifrat e frikshme 79-43 në favor të skuadrës amerikane

Tashmë janë 15 medaljet e Arta të fituara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Lojrat Olimpike në basketboll për meshkuj. Dream Team, shtypi, Serbinë në finalen e Olimpiadës së Rios me rezultatin final 96-66 duke fituar medaljen e 4-t të Artë rradhazi. Që amerikanët ishin superiorë ndaj serbëve në cdo drejtim kjo dihej nga të gjithë që përpara fillimit të ndeshjes, por meqë bëhej fjalë për një finale nuk pritej që diferencat të ishin kaq të mëdha. Ishte Kevin Durant lojtari i transferuar gjatë kësaj vere te Golden State Warriors frymëzuesi i  Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 30 pikë realizoi në total 27-vjecari nga Washington DC duke udhëhequr amerikanët drejt suksesit. Vetëm në periodën e parë rezistoi disi Serbia me skuadrën e Mike Kryzyzewskit që kryesonte me vetëm 4 pikë avantazh në fund të 10-minutëshit të parë. Më pas dominimi i Dream Team ishte aq i madh saqë në fund të periodës së tretë tabela elektronike tregonte shifrat e frikshme 79-43 në favor të skuadrës amerikane.

Image

Nëse Durant shkëlqeu në sulm duke realizuar 30 pikë në vetëm 30 minuta lojë, poshtë tabelës si një mbret i vërtetë u shfaq DaMarcus Cousins që koleksioni plot 15 rebound ndërsa i ndihmoi të tijët edhe me 13 pikë. Te Serbia i vetmi basketbollist që spikati ishte Nemanja Nedovic me 14 pikë të realizuara në vetëm 16 minuta lojë. Totalisht në hije dy yjet e kombëtares ballkanase, Milos Teodosic dhe Miroslav Radujlica që realizuan respektivisht 9 dhe 7 pikë. Serbia u tregua krejtësisht e pasaktë nga goditjet përtej harkut duke realizuar vetëm 4 nga 24 gjuajtje për 3 pikë. Ishte një fitore e thjeshtë ajo e Shteteve të Bashkuara ndaj skuadrës së trajnerit Djordevic me amerikanët që dominuan në cdo drejtim duke fituar një tjetër medalje të Artë në Lojrat Olimpike. Në fund gjithcka u mbyll me basketbollistët e seleksionit amerikan që u ngjitën të gjithë njëherësh në podium në momentin e dorëzimit të medaljeve, për të treguar se Shtetet Bashkuara në basketbollin e meshkujve tashmë funksionojnë si një skuadër e bashkuar dhe nuk varen nga individi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat