Tërmeti në Indonezi: Zonat e largëta pa ndihma

Azia

Tërmeti në Indonezi: Zonat e largëta pa ndihma

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 18:24
Sulavesi, Indonezi

Ekipet e shpëtimit në Indonezi po përpiqen të arrijnë zonat e largëta në Sulavesi - ishullin që u godit nga një tërmet dhe cunami shkatërrues të premten e kaluar.

Mbi 1,400 njerëz humbën jetën në këtë fatkeqësi.

Përpjekjet e kërkim-shpëtimit u përqendruan më shumë në qytetin Palu, ku u konfirmua numri më i madh i viktimave.

Kjo i zemëroi njerëzit gjetkë, të cilët thanë se nuk kanë marrë ndihma.

Kombet e Bashkuara thanë se zona të mëdha, që mund të jenë "të goditura keq", nuk janë arritur ende.

"Ekipet po përpiqen, po bëjnë gjithçka që munden", tha Jen Laerke, zëdhënës për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara.

Rrëshqitjet e dheut, rënia e rrjetit të komunikimit dhe urat e rrënuara po e bëjnë të vështirë për punëtorët e ndihmës dhe ekipet e shpëtimit që të arrijnë rajone të largëta.

E gjithë zona e fatkeqësisë strehon 1.4 milion njerëz.

Ka frikë se numri i të vdekurve mund të rritet ndjeshëm, pasi të arrihen zona të reja.

Në rajonin Dongala, ku jetojnë rreth 300,000 njerëz, një punëtore e ndihmës i tha agjencisë së lajmeve Reuters se "qeveria është zhdukur".

"Të gjithë kanë nevojë për ushqim dhe ujë. Nuk ka ushqim, ujë dhe karburante", tha ajo.

Oficerët e policisë po ruajnë dyqanet nga plaçkitësit.

Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, aktualisht është në udhëtimin e tij të dytë në zonat e goditura nga fatkeqësia.

Tërmeti prej 7.5 shkallësh të Richterit goditi të premten ishullin Sulavesi, duke shkaktuar më pas cunami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat