Marrëveshja Turqi-Rusi nuk e shmang rrezikun për Idlibin

Azia

Marrëveshja Turqi-Rusi nuk e shmang rrezikun për Idlibin

Më: 22 shtator 2018 Në ora: 14:39
Idlib

Turqia dhe Rusia, si dy lojtare të mëdha në konfliktin në Siri, arritën këtë javë marrëveshje për krijimin e një zone të sigurt në Idlib – bastionin e fundit që kontrollojnë rebelët dhe ku jetojnë rreth tre milionë civilë – për të shmangur, siç u tha katastrofën humanitare. Por, analisti Michael O’Hanlon, nga Instituti Brookings me seli në Uashington, thotë se marrëveshja nuk i eliminon shqetësimet dhe se mund të kolapsojë.

Derisa regjimi i presidentit sirian, Bashar al-Assad, është zotuar se do të rikthejë kontrollin e gjithë territorit, qoftë me marrëveshje për pajtim, qoftë me forcë, O’Hanlon thotë se në Idlib mund të pritet një konfrontim i madh në javët e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: A e eliminon marrëveshja midis Rusisë dhe Turqisë mundësinë e një ofensive në Idlib të Sirisë që do të mund të çonte, siç kanë paralajmëruar shumë, në një katastrofë humanitare?

Michael O’Hanlon: Mendoj se marrëveshja nuk i eliminon shqetësimet. Ka dy arsye për këtë. Së pari, ajo mund të mos funksionojë fare. E dimë nga e kaluara se disa zona të shpallura humanitare, të qeta ose të sigurta, nuk kanë qenë të sigurta. Andaj, duhet të shohim nëse funksionon.

Por, së dyti, bëhet fjalë për vetëm një zonë të vogël të provincës Idlib dhe ideja është që njerëzit të shkojnë atje për të qenë të sigurt. Pra, njerëzit që kërkojnë strehë, do të duhet të zhvendosen edhe një herë, nëse besojnë se propozimi do të respektohet. Kjo do të thotë se disa njerëz mund të shkojnë atje, por shumë të tjerë me gjasë jo.

Natyrisht se ekstremistët, që Assadi, Rusia, Hezbollahu dhe të tjerët synojnë t’i sulmojnë, mund të bëjnë përpjekje që t’i bindin njerëzit të qëndrojnë ose t’i detyrojnë ata të qëndrojnë. Pra, për të gjitha këto arsye, kjo marrëveshje do të jetë jo e përsosur dhe e mangët nëse zbatohet, por edhe mund të kolapsojë.

Radio Evropa e Lirë: Përse Idlibi është i rëndësishëm për Rusinë dhe Turqinë?

Michael O’Hanlon: Ky është bastioni i fundit i opozitës dhe i ekstremistëve sot në Siri. Natyrisht se ka zona më të vogla të tyre gjetkë, por, siç e dini, Siria dhe Rusia e kanë arritur qëllimin me fushatën e tyre ushtarake në pjesën më të madhe të vendit.

Qytetet e mëdha që kanë qenë në të kaluarën nën kontrollin e opozitës, si Homsi, Damasku Lindor, Guta, nuk janë më nën kontrollin e saj, por janë në duar të qeverisë. Se çfarë do të thotë kjo saktësisht, është e diskutueshme.

Qeveria natyrisht se është e dobët dhe ka për të rindërtuar një vend të shkatërruar nga lufta. Shoqëritë (në këto zona) nuk funksionojnë plotësisht, por, së paku ushtarakisht, janë larg duarve të opozitës. Idlibi është një zonë ku kjo nuk qëndron ende.

Edhe pjesa veriperëndimore kurde është autonome dhe nuk kontrollohet nga Damasku, por nuk është strehë e terroristëve. Dhe, Assadi dhe Rusia janë pak a shumë të shqetësuar për atë zonë se mos provon të ndahet, apo të krijojë një lëvizje opozitare për të rrëzuar Assadin, apo të strehojë një numër të konsiderueshëm terroristësh. Megjithëse, forcat kurde atje luftojnë kundër grupit militant Shteti Islamik.

Pra, për të gjitha këto arsye, Idlibi është provinca ku mbeten shumica e problemeve dhe atje mund të presim një lloj konfrontimi të madh në javët e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Në një artikull për gazetën Washington Post keni shkruar: “Shtetet e Bashkuara mund të ndalojnë kanosjen e katastrofës për tre milionë sirianë. A mund të shpjegoni më shumë?

 

Michael O’Hanlon: Në vend se thjesht të kërcënohet me hakmarrje, nëse regjimi i Bashar al-Assadit kryen sërish sulm me armë kimike, administrata e Donald Trumpit duhet të kërcënojë me hakmarrje ndaj çdo lloj sulmi masiv që prek civilët.

Taktikat klasike që përdor regjimi, artileria, bombat fuçi të hedhura nga helikopterët nëpër lagje, ndërtesa, duhet të ndalen. Assad i justifikon këto taktika duke thënë se në këto ndërtesa ka terroristë, por ai përfundon duke vrarë dhjetëra ose qindra vetë. Këto lloje të armëve që hidhen me artileri, helikopterë, aeroplanë, kanë vrarë 99% të njerëzve në këtë luftë.

Nëse shqetësohemi për mirëqenien e civilëve, ne duhet të kërcënojmë me hakmarrje ndaj çdo lloji të sulmit masiv jodiskriminues.

Radio Evropa e Lirë: Por, nëse administrata Trump vepron kështu, a mund të vijë deri te konfrontimi me Rusinë?

Michael O’Hanlon: Është e mundur, por propozimi për t’iu hakmarrë Qeverisë siriane kërkon të veçohen Siria dhe Rusia, të qëllohet vetëm në përgjigje të armëve që identifikohen qartë se janë të Sirisë. Në situata të caktuara, nuk do të hakmerreshim, nëse nuk do të ishim të sigurt se jemi duke goditur vetëm asetet e Qeverisë siriane. Ky është koncepti kryesor këtu, që na mundëson të godasim Asadin dhe forcat e tij, nëse është e nevojshme, por jo të rrezikojmë të konfrontohemi me Rusinë.

Radio Evropa e Lirë: A do të marrë fund lufta nëse regjimi rikthen Idlibin?

Michael O’Hanlon: Në shumë mënyra, lufta do të venitet nëse Assad merr Idlibin, sepse nuk do të mbeten strehë të mëdha ku operon grupi militant Shteti Islamik, apo milicitë dhe forcat rebele.

E vetmja zonë që nuk do të jetë nën kontrollin e Assadit do të jetë pjesa veriperëndimore, e kontrolluar nga kurdët. Por, kjo nuk është një zonë e rrezikut të madh për të.

Pra, në afat të shkurtër, mendoj se lufta do të përfundojë kryesisht. Megjithatë, Assadi nuk do të ketë para, nuk do të ketë kapacitet për të rindërtuar Sirinë, popullata sunite do të mbetet jashtëzakonisht e zemëruar me të, flukset e refugjatëve do të kthehen. Pra, nuk mund të flitet për stabilitet. Por, do të thosha se kjo fazë e luftës mund të marrë fund, nëse Assad e kthen Idlibin, edhe pse nuk mendoj se do të jetë bazë për paqe të qëndrueshme.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë planet e Rusisë, Turqisë dhe Iranit për të ardhmen e Sirisë?

Michael O’Hanlon: Interesi kryesor i Rusisë është të ndihmojë Assadin të fitojë dhe të çimentojë pozicionin e saj si lojtare e madhe në Lindjen e Mesme. Megjithatë, ajo do të dojë që bota të paguajë për rindërtimin e Sirisë, kështu që mund të lejojë një lloj kompromisi me Shtetet e Bashkuara për mënyrën se si të trajtohet Idlibi.

Për Turqinë, mendoj se çështje kryesore janë refugjatët dhe ajo që ndodh me kurdët. Ajo dëshiron të sigurohet se nuk do të ketë ndonjë lëvizje të kurdëve për pavarësi që mund të zgjerohet edhe në Turqi. Irani, ndërkaq, vetëm bën përpjekje të maksimizojë ndikimin e tij në rajon./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat