Dhjetëra të vdekur nga një shpërthim në Idlib të Sirisë

Azia

Dhjetëra të vdekur nga një shpërthim në Idlib të Sirisë

Më: 12 gusht 2018 Në ora: 16:37
Idlib, foto nga arkivi.

Një shpërthim në një depo të armëve ka lënë të vrarë të paktën 36 civilë, përfshirë 12 fëmijë. Shpërthimi ka ndodhur në provincën veriperëndimore siriane të Idlibit, thonë aktivistët dhe grupi monitorues.

Mbrojtja Civile Siriane, e njohur edhe si “Helmetat e Bardha”, tha se shpërthimi ka ndodhur në qytetin Sarmada, që gjendet afër kufirit me Turqinë.

Ndërkaq, Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me bazë në Londër, fillimisht ka thënë se numri i viktimave nga ky shpërthim është 18. Megjithatë, më vonë kjo organizatë tha se numri i viktimave është rritur pasi kanë arritur që të nxjerrin trupa nga rrënojat.

Ende nuk dihet shkaku pse ka ndodhur shpërthimi në këtë depo dhe po ashtu nuk është e qartë se nëse të gjitha viktimat janë civilë.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se depoja e armëve, që gjendej në bodrumin e një ndërtese, drejtohej nga një tregtar i armëve, që ka lidhje të ngushta me al-Kaidën.

Vullnetarët e “Helmetave të Bardha” në Idlib, i kanë thënë agjencisë së lajmeve DPA, se edhe të paktën 70 persona të tjerë janë plagosur nga ky shpërthim.

Ndërkaq, forcat e Qeverisë siriane luftojnë me rebelët në Idlib, që kryesisht kontrollohet nga Hayat Tahrir al-Sham, një aleancë islamike që udhëhiqet nga një grup i lidhur me al-Kaidën.

Në tre vjetët e fundit, mijëra rebelë dhe familjet e tyre kanë ardhur nga pjesë të ndryshme të Sirisë në Idlib, pas marrëveshjeve për evakuimin e tyre në mes të rebelëve dhe Qeverisë siriane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat