Ministri iranian: Trump e Netanyahu janë "izoluar"

Azia

Ministri iranian: Trump e Netanyahu janë "izoluar"

Më: 6 gusht 2018 Në ora: 14:58
Ministri i Jashtëm iranian, Mohamad Javad Zarif.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif ka thënë të hënën se liderët e Shteteve të Bashkuara, Arabisë Saudite dhe Izraelit janë izoluar në armiqësinë e tyre ndaj Iranit.

“Sot, e gjithë bota ka deklaruar se nuk është në linjë me politikat amerikane kundër Iranit”, ka thënë Zarif në një fjalim, sipas agjencisë së lajmeve ISNA.

“Flisni me secilin në botë dhe ata do t’iu tregojnë se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe princi saudit, Mohammed bin Salman janë izoluar, jo Irani”, ka thënë ai.

Zarif ka thënë se është e vështirë të imagjinohet ndonjë proces negociatash me Trumpin, pas largimit të këtij të fundit nga pakti bërthamor i vitit 2015 që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

“Mendoni se ky person (Trump) është i përshatshëm për të negociuar me të? Apo ai është aty vetëm për t’u dukur”? ka thënë Zarif.

Liderët iranianë kanë qenë shumë skeptikë rreth ofertës së Trumpit për të biseduar “çdo kohë” pa parakushte.

Me kthimin e sanksioneve amerikane kundër Iranit, Zarif ka pranuar se e ardhmja do të jetë e vështirë.

“Natyrisht se presionet politike mund të shkaktojnë përçarje, mirëpo është fakt se sot në botë, Amerika është e izoluar”.

Arabia Saudite dhe Izraeli, rivalët kyçë të Iranit, janë në mesin e vendeve të vetme që mbështesin rivendosjen e sanksioneve amerikane në Teheran.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat