Presidenti afgan shpall armëpushim me talibanët - Bota Sot
Presidenti afgan shpall armëpushim me talibanët

Azia

E premte, 22 qershor 2018

Presidenti afgan shpall armëpushim me talibanët

Më: 7 qershor 2018 Në ora: 10:15
Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani.

(E plotësuar) - Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, shpalli armëpushim me kryengritësit talibanë nga data 12 deri më 20 qershor, kur të kenë përfunduar edhe Muaji i Ramazanit dhe Festa e Bajramit.

Ghani i bëri këto komente në një video-mesazh të publikuar të enjten, por nuk është ende e qartë nëse militantët e kanë pranuar armëpushimin.

Ghani tha se forcat afgane të sigurisë “do t’i ndalojnë ofensivat” kundër talibanëve, por do të vazhdojnë të godasin grupin militant Shteti Islamik, Al Kaidën dhe “grupet e tjera terroriste ndërkombëtare”.

Armëpushimi është “një mundësi për talibanët të shohin se fushata e tyre e dhunshme nuk po i fiton zemrat dhe mendjet e afganëve, por po i largon ata nga kauza e tyre”, shkroi Ghani në Twitter.

“Me njoftimin për armëpushim, ne mishërojmë forcën e Qeverisë afgane dhe dëshirën e popullit për zgjidhje paqësore të konfliktit në Afganistan”, tha Ghani.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahed, nuk pranoi ta komentojë këtë çështje për Radion Evropa e Lirë.

Njoftimi i Ghanit u bë pak ditë pasi mekanizmi më i lartë fetar i Afganistanit lëshoi një fatwa, apo urdhër fetar, që, nën parimet e Islamit, sulmet vetëvrasëse i shpall të ndaluara, ose haram.

Në takimin në Kabul, më 4 qershor, Këshilli Ulema i Afganistanit po ashtu u bëri thirrje forcave qeveritare afgane dhe talibanëve dhe grupeve të tjera militante që të pajtohen për armëpushim dhe për negociata për paqe.

Një sulm vetëvrasës jashtë këtij takimi që u ndoq nga rreth 2,000 klerikë myslimanë, dijetarë dhe autoritete të tjera nga i gjithë Afganistani, la të vrarë së paku shtatë njerëz, përfshirë disa klerikë.

Një degë lokale e Shtetit Islamik e mori përgjegjësinë për sulmin.

Qeveria afgane, e mbështetur nga Perëndimi, po përpiqet të luftojë talibanët dhe grupet e tjera militante që nga tërheqja e shumicës së trupave të NATO-s në vitin 2014.

Talibanët i kanë shtuar sulmet ndaj forcave afgane të sigurisë dhe zyrtarëve qeveritarë anembanë vendit prejse kanë shpallur ofensivën pranverore në muajin prill.

Në muajin shkurt, Ghani u ka ofruar talibanëve të shndërrohen në parti politike dhe ka thënë se do të punojë për heqjen e sanksioneve kundër tyre, nëse i bashkohen qeverisë në negociatat për paqe.

Në këmbim, militantët do të duhet të njohin Qeverinë e Kabulit dhe të respektojnë sundimin e ligjit, por ata nuk e kanë pranuar ofertën.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gushtin e kaluar, ka shpallur strategji të re për Afganistanin, duke i shtuar edhe sulmet ajrore, me qëllim detyrimin e talibanëve që të marrin pjesë në tryezën e negociatave.

Ghani njofton armëpushim me talebanët me rastin e Bajramit

Presidenti afgan, Ashraf Ghani njoftoi sot një armëpushim të përkohshëm me rebelët talebanë rastin e festës së Bajramit, që shënon fundin e Ramazanit, në një mesazh në profilin e tij “Twitter”.

“Ky armëpushim do të fillojë të hënën, ditën e 27-të të Ramazanit dhe do të vazhdojë deri në ditën e pestë të Bajramit, që pritet të fillojë në fund të javës që vjen”, shkruan ai.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test