Irani dënon deklaratat e Pompeos. Mogherini i kritikon

Azia

Irani dënon deklaratat e Pompeos. Mogherini i kritikon

Më: 22 maj 2018 Në ora: 10:30
Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif

Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif ka dënuar Shtetet e Bashkuara për shkak të zotimit të tyre për vendosjen e të ashtuquajturave “sanksionet më të rënda në histori” ndaj vendit të tij.

Masat e përshkruara nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, sipas tij treguan se Shtetet e Bashkuara janë në rolin e “të burgosurit” për shkak të politikave të tyre të dështuara, e sigurisht që do të vuajë pasojat.

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini kritikoi gjithashtu Amerikën. Ajo shtoi se, Pompeo dështoi të tregonte realisht sesi anulimi i marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 do ta bënte Lindjen e Mesme një rajon më të sigurtë.

“Nuk pati asnjë alternativë – tha ajo, – të marrëveshjes, për të cilën presidenti amerikan Donald Trump u angazhua ta braktiste në fillim të këtij muaji”. Për të shtuar më tej se, BE-ja do t’i qëndrojë marrëveshjes, nëse Irani përmbush angazhimet e ndërmarra.

Pavarësisht pozicionit zyrtar të BE-së, disa prej firmave më të mëdha të Europës, që nxituan të firmosnin marrëveshje biznesi me Iranin pas arritjes së marrëveshjes bërthamore, e gjejnë tashmë veten të detyruar për të zgjedhur mes investimeve në Republikën Islamike, ose tregtinë me Shtetet e Bashkuara.

Por, çfarë prezantoi Pompeo një ditë më parë?

Sanksionet amerikane të hequra pas marrëveshjes së vitit 2015 do të rivendosen – tha ai, – ndërsa së bashku me masat e reja do të konstituojnë “presionin e paprecedentë ndonjëherë në histori ndaj regjimit iranian”.

Ai përcaktoi disa kushte për një marrëveshje të re bërthamore me Iranin, përfshi edhe tërheqjen e forcave iraniane nga Siria dhe dhënien fund të mbështetjes së Republikës Islamike për rebelet “Houthi” në Jemen.

Sanksionet e mëparshme amerikane ndalonin thuajse çdo tregti të mundshme me Iranin.

Pompeo nuk tha se çfarë lloj masash po mendonte të ndërmerrte Uashingtoni, por i përshkroi sanksionet e vendosura javën e kaluar ndaj kreut të Bankës Qendrore të Iranit si “thjesht hapi i parë”.

Irani është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë, ndërsa eksportet e naftës dhe gazit natyror të Republikës Islamike shkojnë në miliarda dollarë çdo vit. Megjithatë, produktet e naftës dhe PBB-ja e Iranit pësuan goditje të ndjeshme gjatë kohës së sanksioneve ndërkombëtare. Sanksionet nuk do të rivendosen automatikisht ndaj Teheranit, por janë subjekt i periudha tremujore dhe 6-mujore.

Edhe pse Zarif tha se Amerika po “mbështetej në zakone të vjetra”, ai shtoi se vendi i tij po punonte me partnerët e tjerë në mënyrë që të gjente një zgjidhje për marrëveshjen bërthamore. Presidenti iranian, Hassan Rouhani lëshoi një sulm personal ndaj Mike Pompeos, teksa vuri në dyshim besueshmërinë e tij si ish-shef i CIA-s për të ndërmarrë vendime për Iranin apo botën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat