Irani dënon mësymjen izraelite: Siria mund të mbrojë veten

Azia

Irani dënon mësymjen izraelite: Siria mund të mbrojë veten

Më: 12 maj 2018 Në ora: 08:35
Siri

Irani mbështeti të drejtën e Sirisë për të mbrojtur veten, pasi Izraeli sulmoi atë që sipas autoriteteve ishte infrastrukturë ushtarake iraniane brenda Sirisë.

Në komentet e para që prej nisjes së valës së sulmeve, të enjten, ministria e jashtme iraniane dënoi shkeljen flagrante të sovranitetit të Sirisë, siç u shpreh.

“Teherani dënon ashpër mësymjen izraelite në Siri. Heshtja e komunitetit ndërkombëtar inkurajon agresionin izraelit. Siria ka çdo të drejtë të mbrojë veten”, ishin fjalët e zëdhënësit të ministrisë.

Sulmet ishin më të rëndat e zhvilluara nga Izraeli kundër Sirisë në dekada. Ato erdhën pasi 20 raketa u lëshuan ndaj pozicioneve ushtarake izraelite, në lartësitë e pushtuara të Golanit. Sipas Tel Avivit, pas ofensivës qëndronin luftëtarët iranianë.

Teherani nuk e ka konfirmuar apo mohuar përgjegjësinë, por tha se sulmet izraelite kundër Sirisë mbështeteshin në pretekste të pabaza.

Irani ka dërguar qindra trupa në Siri, gjoja si këshilltarë ushtarakë për trupat vendase. Gjithashtu, mijëra milicë të armatosur, trajnuar dhe financuar nga Irani kanë luftuar kundër forcave rebele, përkrah ushtarëve sirianë.

Kryeministri izraelit Beniamin Netanjahu tha të enjten se Irani kishte tejkaluar vijën e kuqe dhe se veprimet e shtetit të tij ishin thjesht pasojë.

“Nuk do të lejojmë Iranin të vendoset në Siri. I përcolla një mesazh të qartë regjimit të Assadit; aksioni ynë shënjestron pozicionet iraniane në Siri”, tha ai, duke shtuar se nëse ushtria siriane do të vepronte kundër tyre, ata do të kundërpërgjigjeshin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat