Planet e Asadit - Shpronësimi si dënim për refugjatët?

Azia

Planet e Asadit - Shpronësimi si dënim për refugjatët?

Më: 29 prill 2018 Në ora: 13:28
Siri

Një ligj i ri në Siri i detyron pronarët e imobilieve në kuadër të planeve të reja të ndërtimit të provojnë të drejtat e pronësisë. Por refugjatët nuk munden ta bëjnë këtë. Ligji është i barabartë me shpronësimin.

Rami Makhlouf do të ketë punë për kushedi sa vite. Firma e tij, Holding Damascus Shams drejton rindërtimin e vendit në periferitë e Damaskut. Kushëriri i Hafez al-Asad, babait të Bashar Al-Asad, një nga më të pasurit në vend, është përgjegjës për ndërtimin e 12.000 apartamenteve të reja të luksit. Të drejtat e pronësisë së personave të banesave e shtëpive të shkatërruara nga lufta në truallin ku do të ndërtohet nuk do përbëjnë ndonjë problem të madh për të. Shumë pronarë apartamentesh nuk e kanë të lehtë të dokumentojnë më të drejtat e pronësisë.

Ndërtimet e reja e njëkohësisht shpronësimi faktik i banorëve janë mundësuar nga ligji i ri, Nr 10, më 2 prill të këtij viti. Ky ligj parasheh ngritjen e byrove të rindërtimit në çdo bashki. Pas përpilimit të planeve të ndërtimit, pronarëve të tokave, shtëpive apo apartamenteve u është bërë thirrje të dokumentojnë të drejtat e pronësisë. Për këtë u jepet 30 ditë kohë.

Prova e pronësisë – ndërmarrje e vështirë

Problemi është se shumë nga ata që i tremben tani shpronësimit janë larguar nga Siria. Ata nuk kanë asnjë mundësi të kthehen në Siri brenda 30 ditësh dhe të provojnë pronësinë. Shpesh ata as nuk kanë më të afërm në vend që mund t'u ndihmojnë për të rregulluar punët administrative. Kësaj i shtohet fakti që shumë dokumente janë shkatërruar gjatë luftës ose kanë humbur. Por edhe nëse janë në vendlindje, shumë nuk mund ta provojnë dot pronësinë. Sipas një vlerësimi të Kombeve të Bashkuara, vetëm 9% e refugjatëve sirianë që jetojnë jashtë i kanë dokumentet e duhura të pronësisë, raporton gazeta franceze, Le Monde.

Frika nga autoritetet e sigurisë

Shumë pronarë gjenden edhe para një pengese tjetër: Ata duhet të lejojnë verifikimin nga autoritetet siriane. Sidomos për opozitarët kjo është një arsye e fortë për të mos këmbëngulur më në pretendimin e pronësisë. „Asnjë nga ata që kanë ikur për shkak të Asadit nuk e ka guximin për t'u kthyer në Siri", thotë gazetari me origjinë siriane, Samir Matar nga redaksia arabe e Deutsche Welles. „Kthimi nënkupton potencialisht arrestimin." Kësaj i shtohet që në shumë rajonë te prekura ka banuar kryesisht popullsi sunite, që tradicionalisht është kritike ndaj Asadit. „Nga ana politike, ky ligj është një lloj dënimi për ata që kanë protestuar", thotë Samir Matar. „Asadi u le kundërshtarëve të tij të kuptojnë, se shpronësimet janë pasojë e protestës. Kështu ai u jep një mësim atyre. Kush ngrihet kundër tij, ky është mesazhi, duhet të llogarisë me pasoja. Kjo shkon deri aty sa mund të humbasësh edhe shtëpinë."

Shitje e detyruar nën vlerë

Por edhe nëse refugjatët mund t'i realizojnë kërkesat e tyre dhe të arrijnë të marrin një dëmshpërblim, kjo nuk është një ndihmë e madhe për pronarët. Ligji parasheh, që trualli do të matet me vlerën që ka pasur para se të futet në programin e zhvillimit. Duke pasur parasysh që dikur aty ka pasur ndërtime ilegale, e tani pritet të ngrihen ndërtesa luksoze, për pronarët e dikurshëm do të thotë një humbje e madhe e vlerës së shtëpisë. Sipërmarrës si Rami Makhlouf mund ta blejnë shumë lirë tokën e ndërtimit, dhe t'i shesin apartamentet pas blerjes me çmime shumë të larta.

Regjimi shpërblen përkrahësit e tij

Në të njëjtën kohë shpronësimi i jep Asadit mundësinë të shpërblejë përkrahësit  e tij politikë dhe ushtarakë. „Imobiliet shpronësohen, por jo për të qëndruar tek autoritetet lokale. Në vend të kësaj ato transferohen tek sipërmarrës të afërt me regjimin", shkruan kryeredaktori i shërbimit ekonomik informativ, Syria Report. Po kështu mendon edhe aktivisti sirian për të drejtat e njeriut, Michel Chammas. „Ligji i ri i lejon që me rindërtimin e vendit, regjimi t'u japë dorë sipërmarrësve që kanë lidhje të mira me qendrën e pushtetit, qofshin sirianë, iranianë apo rusë", thotë Chammas për gazetën online L´Orient le jour.

Në të njëjtën kohë ligji i mundëson regjimit të bëjë transformime të mëdha demografike e politike në rajonet tradicionalisht opozitare. Në lagjet e reja të ndërtuara do mund të hyjnë kryesisht përkrahës të Asadit dhe grupime luajale ndaj tij, si alevitët dhe të krishterët e më pak shumica sunite e popullsisë. Kështu shuhen edhe vatrat tradicionale të rezistencës. „Asad siguron kështu në rajonet e krizës një mazhorancë të re", thotë Samir Matar.

Gazetari i Deutsche Welles, Sami Al-Habbal bën pjesë tek të prekurit. Familja e tij ka një shtëpi në afërsi të Damaskut. „Por në këtë moment ne nuk mund të provojmë, se jemi pronarët e saj, sepse ne jemi pjesë e opozitës, që do të thotë është shumë e rrezikshme të kthehesh në Damask. Sipas pikëpamjes sonë ky ligj është një dënim kolektiv për të gjithë opozitën." Edhe qeveria gjermane ka protestuar qartë kundër këtij ligji. Gjermania ka pranuar disa qindra mijëra refugjatë sirianë./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat