Kim kalon kufirin, takim historik dhe një pishë që bashkon Koretë

Azia

Kim kalon kufirin, takim historik dhe një pishë që bashkon Koretë

Më: 26 prill 2018 Në ora: 21:19
Moon Jae in dhe Kim Jong un

Kim Jong un do të jetë i pari lider koreano-verior që do të shkelë në tokën koreano-jugore që nga fundi i luftës mes koreve në 1953, ndërsa detajet përfundimtare të samitit, janë vendosur tashmë.

Koreja e Jugut tha se presidenti Moon Jae In do të presë personalisht Kim Jong un në kufi, në orën 09.30 minuta të së premtes. Çdo detaj i takimit tani është planifikuar me saktësi, që nga axhenda e bisedimeve e deri tek menuja e darkës.

Bisedimet zyrtare do të fillojnë në 10:30 minuta, në shtëpinë e paqes në Panmunjom. Të dy liderët do të kenë një pushim pas sesionit të parë dhe do të drekojnë ndarazi, me delegacionin koreano-verior që do të kthehet prapa në anën e tij të kufirit.

Ndërkohë pasdite, Moon Jae in dhe Kim Jong un do të mbjellin një pishë, duke përdorur dhe e ujë nga të dyja anët e vendit, çka do të simbolizojë paqen dhe prosperitetin. Pas kësaj, do të ketë një tjetër raund bisedimesh, ndërsa samiti do të përmbyllet me liderët që nënshkruajnë një marrëveshje dhe mbajnë një deklaratë të përbashkët, përpara darkës.

Kjo e fundit do të mbahet në anën koreano-jugore dhe menuja e menduar me kujdes është bërë e ditur që më herët. Kim Jong un do të shoqërohet nga nëntë zyrtarë, përfshirë të motrën, që udhëhoqi delegacionin e veriut në lojërat olimpike dimërore, më herët këtë vit.

Takimi, i treti i këtij lloji, pason ata të viteve 2000 dhe 2007 dhe është rezultat i muajve përmirësimi të marrëdhënieve mes dy Koreve dhe hap rrugën për takimin e planifikuar mes Kim Jong un dhe Presidentit amerikan Donald Trump.

Ky i fundit hodhi dyshime mbi këtë takim të enjten duke thënë në një intervistë me Fox News se ndoshta takimi mund edhe të mos zhvillohet. Ai po ashtu tha se po konsideronte tre ose katër data, si edhe pesë vende të mundshme, nëse do të vijohet me planin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat