Izraeli paralajmëron Iranin

Azia

Izraeli paralajmëron Iranin

Më: 12 prill 2018 Në ora: 09:33
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu. 11 prill, 2018.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar Iranin që të mos e testojë Izraelin dhe e ka krahasuar Teheranin me Gjermaninë naziste. Këto komente kryeministri izraelit i ka bërë në ditën kur shteti i tij përkujton vrasjen e gjashtë milionë hebrenjve nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Kam një mesazh për sunduesit iranianë: mos e testoni vendosmërinë e shtetit të Izraelit. Këto nuk janë fjalë boshe”, ka thënë Netanyahu, gjatë ceremonisë në Memorialin e Holokaustit në Jerusalem.

“Gjatë Holokaustit, ne ishim të pashpresë, të pambrojtur dhe nuk kishim zë. Në të vërtetë, zëri ynë nuk është dëgjuar fare. Sot, ne kemi një shtet të fuqishëm, një ushtri të fuqishme dhe zëri ynë dëgjohet nëpër shtete të botës”, ka thënë Netanyahu.

Këto komente të liderit izraelit vijnë dy ditë pas një sulmi me raketa mbi një bazë ajrore siriane, sulm për të cilin, Siria dhe Irani kanë fajësuar Izraelin. Në këtë sulm janë vrarë të paktën 14 luftëtarë pro-qeveritarë, përfshirë edhe shtatë ushtarë iranianë.

Netanyahu në vazhdimësi ka paralajmëruar Iranin kundër ndërtimit të një prezence të përhershme ushtarake në Siri, ku presidenti sirian, Bashar al-Assad me aleatët e tij, që shtatë vjet po lufton në luftën civile kundër rebelëve suni.

Pas sulmit mbi bazën ajrore siriane, Teherani ka paralajmëruar se do t’i kundërpërgjigjet Izraelit, duke bërë që Tel Avivi të vë në gatishmëri të lartë forcat ushtarake.

Izraeli duket se ka justifikuar sulmin ajror për shkak të sulmit të dyshuar kimik në qytetin sirian të Dumës ku u vranë dhjetëra civilë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë po ashtu po kërcënojnë se do t’i përgjigjet këtij sulmi me armë kimike, që ndodhi të shtunën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat