Irani thotë se SHBA do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore

Azia

Irani thotë se SHBA do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore

Më: 15 mars 2018 Në ora: 09:49
Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.

Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të shkarkuar sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson, tregon se ai synon të tërheqë SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e Iranit me fuqitë botërore, tha zëvendësministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.

“SHBA është e vendosur të braktisë marrëveshjen bërthamore dhe ndryshimet në Departamentin e Shtetit janë bërë me këtë qëllim”, tha Abbas Araghchi.

Trump ka shkarkuar Tillersonin të martën, duke thënë se ai do të zëvendësohet nga shefi aktual i CIA-s, Mike Pompeo, i cili ka qëndrim më të ashpër ndaj Iranit.

Trump ka kritikuar vazhdimisht marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, e cila kërkon nga Irani të frenojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Trump i ka përmendur dallimet me Tillersonin për këtë marrëveshje si një arsye për shkarkimin e tij.

“Nëse Shtetet e Bashkuara heqin dorë nga marrëveshja bërthamore, edhe ne do të heqim”, tha Araghchi, transmeton agjencia iraniane ISNA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat