Guta Lindore, për 103 ditë janë vrarë 1121 civilë

Azia

Guta Lindore, për 103 ditë janë vrarë 1121 civilë

Më: 26 shkurt 2018 Në ora: 08:25
Guta

Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) njoftoi se si pasojë e sulmeve të kryera në Gutën Lindore, që gjendet nën rrethimin e regjimit të Bashar al-Asadit, gjatë datave 14 nëntor 2017 - 24 shkurt 2018 jetën e kanë humbur 1121 civilë, transmeton Anadolu Agency (AA).

SNHR njoftoi se në rajonin e Gutës Lindore e cila ndodhet nën kontrollin e opozitarëve, si pasojë e sulmeve të Rusisë, regjimit të Asadit dhe grupeve të huaja kanë humbur jetën gjithsej 1121 civilë, nga të cilët 281 fëmijë dhe 171 gra.

Në raportin e publikuar nga ky rrjet thuhet se në sulmet ajrore dhe tokësore mes datave 14 nëntor 2017 - 24 shkurt 2018, përkatësisht për 103 ditë ndaj Gutës Lindore, e cila mbahet nën rrethimin e forcave të regjimit, është përcaktuar se kanë humbur jetën 1121 civilë.

Në raport thuhet se në sulmet e kryera ndaj Gutës Lindore që nga muaji mars i vitit 2011 e deri më 24 shkurt të vitit 2018 kanë humbur jetën gjithsej 12 mijë e 763 civilë, prej tyre 1463 fëmijë dhe 1127 gra.

Sipas raportit që nga viti 2011 e deri më tani regjimi dhe mbështetësit e tij në rajon kanë kryer 46 herë sulme me armë kimike.

Përkundër vendimit të KS-OKB-së për armëpushim kanë humbur jetën edhe 4 civilë

Përkrahësit e regjimit dhe mbështetësit e tij, përkundër vendimit të KS-OKB-së për “armëpushim humanitar” një mujor në Siri, po vazhdojnë sulmet ndaj vendbanimeve civile në Gutën Lindore.

Sipas burimeve të Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha), forcat e regjimit sirian që nga orët e mëngjesit të ditës së sotme kanë kryer sulme tokësore dhe ajrore ndaj rajoneve Duma, Haresta, Shifoniyye, Kefer Batna, Hammuriye, Sakba, Baeyt Sava dhe Merxh të Gutës Lindore.

Si pasojë e këtyre sulmeve kanë humbur jetën 4 civilë, 2 prej tyre në në Sakba, kurse nga një në Baeyt Sava dhe Hammuriye.

Ekipet e Mbrojtjes Civile vazhdojnë punimet e kërkim shpëtimit, kurse të plagosurit janë marrë në trajtim në qendrat e shëndetësisë përreth. Për shkak të vazhdimit të sulmeve po shqetësohet për rritje të numrit të të vdekurve.

Me projekt-rezolutën e miratuar mbrëmë nga KS-OKB-ja me një votim unanim u vendos për të paktën një muaj armëpushim humanitar për dërgimin e ndihmave humanitare në Siri dhe veçanërisht për evakuimin e njerëzve të sëmurë dhe të plagosur rëndë në Gutën Lindore e cila gjendet nën rrethimin e regjimit.

Në vendim kërkohet dërgimi në mënyrë të "sigurtë, pa pengesë dhe të vazhdueshme" i ndihmave humanitare në të gjithë Sirinë dhe ndalimin për të paktën 30 ditë të konflikteve "pa vonesë" nga të gjitha palët për evakuimin e "të sëmurëve dhe të plagosurve rëndë".

Në Gutën Lindore, e cila është nën kontroll të opozitës, jetojnë rreth 400 mijë civilë. Ky rajon në marrëveshjen në Astana u shpall zonë e deeskalimit të përleshjeve. Përskaj kësaj, pjesëtarët e regjimit të Asadit, vendi garantues i së cilës është Rusia, nga muaji prill i vitit të kaluar intensifikuan rrethimin ndërsa muajt e fundit edhe sulmet.

Kriza humanitare në Gutën Lindore nga dita në ditë përkeqësohet ndërsa mijëra civilëve u nevojitet evakuim. Shumica e civilëve të cilët duhen evakuuar urgjentisht përbëhen nga fëmijët dhe persona të sëmurë nga kanceri.

Përveç kësaj, shumë fëmijë në Gutën Lindore kanë vdekur si pasojë e urisë dhe pamundësisë për të patur qasje në barna. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat