Turqia u bën thirrje Rusisë dhe Iranit që të ndalojnë ofensivën në Siri

Azia

Turqia u bën thirrje Rusisë dhe Iranit që të ndalojnë ofensivën në Siri

Më: 23 shkurt 2018 Në ora: 15:08
Gouta Lindore, 23 shkurt 2018

Turqia u është bashkuar thirrjeve ndërkombëtare për Rusinë dhe Iranin që të zmbrapsin forcat qeveritare të Sirisë nga ofensiva ushtarake në enklavën e Goutas Lindore, e cila kontrollohet nga rebelët.

Mbi 400 civilë raportohet se janë vrarë atje që nga 18 shkurti.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha se “Rusia dhe Irani duhet të ndalojnë regjimin”.

Ai po ashtu tha se bombardimet në Goutan Lindore janë në kundërshtim me marrëveshjet e negociuara në Astana nga diplomatët e Ankarasë, Moskës dhe Teheranit.

Më herët, Shtetet e Bashkuara e kritikuan Rusinë, duke thënë se ajo ka “përgjegjësi” unike për vdekjet e qindra civilëve sirianë gjatë javës së kaluar.

Departamenti amerikan i Shtetit i bëri thirrje Rusisë që të shfrytëzojë ndikimin e saj te Qeveria siriane për të ndaluar vrasjet.

Zëdhënësja Heather Nauert e fajësoi direkt Moskën për mosfrenimin e regjimit të Bashar al-Assadit dhe të ushtrisë së tij.

"Çfarë po bëjnë për të ndaluar shkatërrimin, vdekjet, vrasjet në Siri? Pa mbështetjen e Rusisë, shkatërrimi dhe vdekjet nuk do të ndodhnin", tha Nauert për gazetarët në Uashington.

"Rusia mban përgjegjësi unike për atë që po ndodh atje", shtoi ajo.

Rusia, gjatë gjithë luftës shtatëvjeçare në Siri, i ka dhënë mbështetje politike dhe ushtarake regjimit të Assadit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat