Apel për armëpushim në Ghouta të Sirisë

Azia

Apel për armëpushim në Ghouta të Sirisë

Më: 22 shkurt 2018 Në ora: 15:56
Siri

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i përbërë nga 15 vende mund të votojë të enjten një rezolutë që synon zbatimin e një armëpushimi në të gjithë Sirinë lindore.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë Staffan De Mistura, tha të enjten se ai shpreson që Këshilli i Sigurimit të pajtohet me rezolutën, për t’i dhënë fund luftimeve në Ghouta-n lindore, por tha gjithashtu se kjo nuk do të ishte e lehtë.

Sipas zotit De Mistura duhen bërë përpjekje për miratimin sa më parë të një rezolute, pasi nuk ka alternative tjetër veç armëpushimit dhe krijimit të mundësive për ndihma humanitare.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Antonio Guterres i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të miratojë një armëpushim urgjent prej 30 ditësh në të gjithë Sirinë si dhe për të ndihmuar 400 mijë banorët që ndodhen nën rrethim në Ghouta-n lindore.

“Ghouta lindore nuk mund të presë” - tha ai, duke apeluar gjithashtu për pezullimin e menjëhershëm të luftës atje, në mënyrë që ndihma humanitare të shkojë tek të gjithë ata që kanë nevojë.

Zoti Guterres u kërkoi palëve të lejojnë evakuimin e 700 personave që kanë nevojë urgjente për trajtim mjekësor.

Në një deklaratë të mërkurën vonë, Shtetet e Bashkuara bënë thirrje që Rusia dhe partnerët e saj të përmbushin detyrimet e tyre për zonat ku janë ndaluar luftimet, veçanërisht në Ghouta-n lindore, duke shprehur gjithashtu mbështetjen për një ndalim të dhunës me qëllim lehtësimin e ndihmës humanitare.

Zyra e të Drejtave të Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha të mërkurën se që nga 4 shkurti në Ghouta-n lindore kanë vdekur të paktën 346 persona.

Ish Sekretari i Përgjithshëm i OKB Ban Ki-moon, i cili mori pjesë në mbledhjen e këshillit të mërkurën, tha se situata në Siri është "krejtësisht e papranueshme".

Ai i kërkoi Këshillit të Sigurimit të bashkohet për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat