I jepet lamtumira “gjigantes së të drejtave të njeriut” në Pakistan

Azia

I jepet lamtumira “gjigantes së të drejtave të njeriut” në Pakistan

Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 15:04
Asma Jahangir

Pakistanezët i kanë dhënë lamtumirën avokates dhe aktivistes së të drejtave të njeriut, Asma Jahangir, e cila ka vdekur në moshën 66-vjeçare nga sulmi në zemër.

Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në funeralin e saj në qytetin Lahore, përfshirë të afërm, miq, avokatë, politikanë dhe aktivistë të të drejtave civile.

Duke vlerësuar punën e Jahangirit, shefi i gjyqësorit në Pakistan, Mian Saqib Nisar, e quajti atë “personalitet të lartë dhe të patrembur”.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka quajtur Jahangirin “gjigante të të drejtave të njeriut” dhe ka vlerësuar guximin e saj në fushatat për drejtësi dhe barazi për të gjithë.

Jahangir ka bashkëthemeluar Komisionin e të Drejtave të Njeriut në Pakistan dhe ka qenë presidente e Shoqatës së Avokatëve të Gjykatës Supreme. Ajo gjithashtu ka shërbyer si raportuese e posaçme e OKB-së për të drejtat e njeriut.

Jahangir ka qenë kritike e madhe e establishmentit ushtarak të Pakistanit dhe e ekstremistëve islamikë.

Në vitet e fundit, ajo ka kritikuar zëshëm keqpërdorimin e ligjeve të blasfemisë që bartin dënimin me vdekje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat