Siria dënon një sulm të koalicionit

Azia

Siria dënon një sulm të koalicionit

Më: 19 maj 2017 Në ora: 19:15
Siri

Siria dënoi një sulm të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara mbi një pozicion ushtarak nën kontrollin e qeverisë, që sipas zyrtarëve sirianë vrau disa persona dhe shkaktoi dëme materiale.

Sot zyrtarët sirianë thanë se sulmet ajrore pranë kufirit me Jordaninë po pengojnë përpjekjet e ushtrisë siriane dhe aleatëve të saj për të luftuar Shtetin Islamik.

Rusia, një aleat i ngushtë i qeverisë siriane, e quajti “të papranueshëm” sulmin ajror kundër pozicionit ushtarak të qeverisë.

Dje zyrtarët amerikanë thanë se një aeroplan i koalicionit goditi forcat pro qeveritare siriane, për shkak të shkeljes së vazhdueshme të një zone të përcaktuar si të sigurtë.

Zëdhënësi i Komandës Qendrore Amerikane majori Josh Jacques, i tha Zërit të Amerikës se forcat qeveritare siriane vendosën një autokolonë në veri-perëndim të bazës së al-Tanf-it, me tanke, buldozerë, automjete të blinduara, artileri dhe të tjera mjete teknike duke krijuar pozicione luftarake.

Për disa orë, koalicioni lëshoi raketa në shenjë "paralajmërimi" pranë forcave pro qeveritare siriane, por sipas zëdhënësit të Komandës Qendrore Amerikane ata vazhduan të ndërtonin pozicionet e tyre.

"Pas kësaj, nuk mund të bënim asgjë tjetër", i tha majori Jacques Zërit të Amerikës. "U dhamë çdo mundësi të largoheshin nga zona", u shpreh ai.

Sipas majorit Jacques, Shtetet e Bashkuara goditën një nga tanket pro qeveritare siriane dhe dy buldozerë.

Lidhur me sulmin, koalicioni lëshoi sot një njoftim. Megjithatë disa nga forcat siriane vazhdojnë të qëndrojnë në zonën e përcaktuar prej muajsh si të lirë nga konflikti, me një rreze prej 55 kilometrash nga baza e al-Tanf-it.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat