Numri i të vrarëve nga sulmi me makinë-bombë ndaj autobusëve që bartnin sirianët që po evakuoheshin, ka arritur në të paktën 112, ka thënë grupi monitorues.
Vëzhguesi sirian për të drejtat e njeriut ka thënë se 98 sirianë që po evakuoheshin nga dy qytete janë vrarë nga shpërthimi i makinës, që goditi autobusët me të cilët ata po udhëtonin në perëndim të Alepos.
Pjesa tjetër e viktimave janë punëtorët e ndihmës dhe rebelët që po ruanin autobusët, ka thënë ky grup, duke shtuar se pritet që numri i viktimave të rritet.
Më 15 prill, media shtetërore siriane ka raportuar se nga shpërthimi janë vrarë të paktën 39 njerëz.
Organizata për mbrojtjen e civilëve sirianë, e njohur gjerësisht me emrin “Helmetat e Bardha”, ka thënë se vullnetarët e tyre kanë evidentuar se 100 persona, përfshirë, gra, fëmijë dhe luftëtarë rebelë janë vrarë nga shpërthimi.
Autobusët po bartnin mijëra shiitë, të cilët mbështesin qeverinë e presidentit Bashar al-Assad.
Popullsia e Sirisë është kryesisht sunite. Megjithatë, Assad dhe shumica e mbështetësve të tij i përkasin minoritetit fetar alavit, që shpesh konsiderohet si degë e islamit shiit.