Siri-Al Babi rifillon jetën pas tmerrit xhihadist të ISIS-it

Azia

Siri-Al Babi rifillon jetën pas tmerrit xhihadist të ISIS-it

Më: 28 shkurt 2017 Në ora: 09:54
Lufta, Siri

Ndërkohë që Ushtria e Lirë Siriane (SFA), e mbështetur nga forcat e armatosura turke, vazhdon pastrimin e minave dhe bombave të vendosura nga ISIS-i, në qendrën e qytetit të njohur sirian Al Bab, pranë Alepos, popullsia e qytetit që i kishte ikur luftimeve, ka filluar dalëngadalë të kthehet.

Njësitë e SFA-së, që javën e kaluar morën kontrollin e qendrës së Al Babit, po vazhdojnë avancimin në mënyrë të kontrolluar kundër minave dhe kurtheve të vendosura nga ISIS-i.

Ndërkaq, në rrugët e Al Babit po ashtu janë duke vazhduar aktivitetet e kërkimit në shtëpitë e përdorura nga rrjeti terrorist. Kohë pas kohe në qytet dëgjohen edhe shpërthime gjatë kontrollimit të minave.

– Jemi duke siguruar miell në mënyrë që civilët të vazhdojnë jetën –

Muhammed Ali, komandant terreni i SFA-së, thotë se pas çlirimit të qendrës së Al Babit, në kuadër të operacionit “Mburoja e Eufratit”, janë duke u përpjekur të sigurojnë kthim të sigurtë të civilëve në qytet dhe për këtë ekspertët e bombave janë duke bërë përpjekje intensive.

“Civilët nuk i lejojmë të hyjnë në zonat që ende nuk janë pastruar nga minat dhe mjetet shpërthyese”, shtoi Ali.

Ndërkaq, duke vënë në pah se jeta e përditshme në Al Bab me kohë do t’i kthehet normales, Ali u shpreh se “jemi duke siguruar miell në mënyrë që civilët të vazhdojnë jetën në qytet. Familjet që kishin braktisur Al Babin kanë filluar të kthehen dalëngadalë”.

– Falenderoj forcat turke dhe SFA-në –

Abdo Muhammed, një nga civilët që është kthyer në Al Bab pas çlirimit nga organizata terroriste, tha se ndihet shumë i lumtur që është kthyer në shtëpinë e tij.

Duke theksuar se kanë bërë një luftë të madhe kundër ISIS-it, Muhammed falënderoi ushtarët turq dhe SFA-në.

“Falenderoj turqit dhe SFA-në. Lus Zotin që të gjitha organizatat terroriste të largohen nga vendi ynë”, tha Muhammed.

Ndërkaq Um Abdo tregoi se si pasojë e persekutimit nga ISIS-i, kishte braktisur shtëpinë për të jetuar në mal.

“Nuk dinim çfarë të bënim. Në shtëpitë e atyre që nuk i bashkangjiteshin ISIS-it çdo ditë bëheshin kërkime. Frikësoheshim shumë. Nuk kishte se çfarë të hanim. Jeta ishte shumë e shtrenjtë”, tha Abdo.

“Pjesëtarët e ISIS-it përdorën shtëpitë tona për t’u fshehur. Ushtria e Lirë Siriane, pas çlirimit të Al Babit nga qyteti, ka filluar të na japë ushqime, ujë dhe pije. I falenderoj. Nuk mund të dilnim jashtë për shkak të minave dhe mjeteve shpërthyese të vendosura në rrugë”, tha Abdo.

Ndërkohë, Naxhi Abdulkerim Halo, banor i Al Babit, rrëfen se ishte plagosur nga një predhë mortaje.

Halo tregoi se për dy muaj kishte qenë në pamundësi për të dalë nga shtëpia.

“Sot për herë të parë dola nga shtëpia. U gëzuam shumë që SFA-ja mori kontrollin e qytetit. Falë Zotit, shpëtuam nga ISIS-i”, tha Halo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat